Lajme

Qeriqi: Seanca dështoi për mungesë të ofrimit të raportit për dëmin material


Seanca e paraparë ndaj 11 veteranëve të OVL-UÇK-së të cilët gjatë një proteste të vitit 2015 kishin shkaktuar dëme në rrethojën e objektit të Qeverisë, ka dështuar të mbahet këtë të mërkurë.

Kjo pasi që asnjëri nga të akuzuarit nuk kanë marrë pjesë në seancë. Gjyqtarja Luljeta Krasniqi ka deklarua se seanca do shtyhet pa afat të caktuar.

“Meqë nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, gjykata merr aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar deri sa të sigurohet prova lidhur me pronarin e veturës dhe dëmin e caktuar ndaj kësaj veture”, është shprehur gjyqtarja Krasniqi.

Xhevdet Qeriqi, njëri nga organizatorët e kësaj Proteste, njëherësh i akuzuar në këtë proces gjyqësor, për Albanian Post ka thënë se procesi ndaj tij dhe të akuzuarve, i filluar para një viti ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së raportit të për dëmet e shkaktuara.

“Sot është mbajtur seanca e pestë me radhë, unë jam deklaruar në seancën e kaluar se nëse nuk krijohen kushtet për mbajtjen e seancës dhe nuk sillet raporti i dëmit të shkaktuar nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme kundër nesh, të njëjtën e kanë bërë edhe kolegët e mi me të cilët akuzohemi bashkë”.

Ai ka treguar se nuk ka ndonjë arsye tjetër përveç asaj që pala e dëmtuar (Qeveria) nuk ka dorëzuar një raport të dëmit pse ata nuk kanë participuar në seancën e sotshme. Madje ai është shprehur se është i gatshëm edhe të marrë barrën e dëmit pasi që është edhe organizator i asaj proteste.

“Plotë katër seanca të mëhershme që janë mbajtur, përfaqësuesi i Qeverisë nuk ka qenë në gjendje ta sjellë raportin se sa ishte vlera e atij dëmi, po ashtu edhe prokurori i rastit nuk e ka në aktakuzë të specifikuar se sa ka qenë vlera e dëmit të shkaktuar. Pra kjo ka qenë arsyeja e mospjesëmarrjes në këtë seancë, përndryshe e respektoj institucionin e drejtësisë dhe jam deklaruar para tyre se si organizatorë i asaj proteste jam i gatshëm ta marrë për sipër komplet atë dëm dhe ta respektoj çfarëdo vendimi që merret nga ky trup gjykues”, ka thënë Qeriqi.

Protesta e vitin 2015 e organizuar nga Qeriqi ishte thirrur për të kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës të zbatohej ligji për kategoritë e dala nga lufta si dhe për pastrimin e listave të veteranëve. Mirëpo, ajo kishte dalë nga kontrolli, dhe ishin dëmtuar rrethojat e Qeverisë, gjë që nuk ishte edhe qëllimi i asaj proteste.

“Në asnjë moment nuk kemi pasur qëllim të shkaktojmë ndonjë dëm. Gjatë mbajtjes të asaj proteste ka eskaluar situata dhe janë shkaktuar disa dëme, dhe si organizator i asaj proteste barra bie mbi mua për arsye se unë i kisha ftuar në atë protestë dhe jam i gatshëm qysh sot t’i barti të gjitha ato pasoja”.

Për Albanian Post, Qeriqi ka thënë se Gjykata duhet ta mbyll këtë çështje pasi që ka pasur kohë të mjaftueshme për grumbullimin e provave, andaj edhe nuk duhet të sjell të akuzuarit pusht e lartë pa nevojë, por të merr vendim sa ma parë.

“Gjykata ka pas kohë plotë gjashtë vite t’i mbledh të gjitha provat dhe në fund të marrë vendim rreth këtij rasti, jo të na maltretoj plot gati një vit nëpër seanca gjyqësore. Le ta caktoj seancën për marrjen e vendimit të këtij rasti dhe qysh prej atij momenti jam i gatshëm ta respektoj atë vendim dhe të shkoj në burg”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore