Lajme

Qëndruan për të luftuar talebanët, tani gratë po përndiqen dhe torturohen


Një taleban flet me gratë që protestojnë jashtë një shkolle në Kabul në shtator, ndërsa një tjetër përpiqet të bllokojë kamerën.

Aktivistet e të drejtave të grave frikësohen për jetën e tyre, pasi pushtuesit e rinj të Afganistanit depërtojnë, arrestojnë, rrahin dhe torturojnë grupe protestuesish.

Muaj më parë, Reshmin po organizonte protesta kundër sundimit taleban, në grupe online me qindra aktiviste të tjera për të drejtat e grave.

Tani 26-vjeçarja, e diplomuar në ekonomi, duhet të veprojë si një klandestine, të maskohet dhe të demonstrojë vetëm me disa njerëz të zgjedhur, raporton The Guardian.

“Nëse gjërat vazhdojnë kështu, nuk do të ketë të ardhme për gratë në Afganistan. Është më mirë nëse e ardhmja nuk vjen kurrë”, thotë ajo, e cila gjatë bisedës përdor emrin e saj të parë, për arsye sigurie.

“Sa herë që dalim, ne themi lamtumirë, sepse mund të mos kthehemi të gjallë”.

Që nga pushtimi i vendit nga talebanët në gusht të këtij viti, Reshmin dhe motra e saj më e vogël kanë marrë pjesë në një mori protestash në Kabul, pjesë e demonstratave mbarëkombëtare.

Gratë afgane kanë ngritur tabela, duke kërkuar të drejtën për arsim dhe punë, ndërsa kanë brohoritur slogane të tilla si “Liri!” dhe “Eliminimi i grave do të thotë të eliminosh qeniet njerëzore!”.

Ato i përkasin një grupi mbrojtësesh të të drejtave të grave afgane, të cilat zgjodhën të mos iknin këtë verë, por qëndruan për të luftuar shtypjen e lirive të talebanëve.

Të nxitura nga 20 vitet e fundit të mbështetjes dhe inkurajimit ndërkombëtar, ato kanë organizuar protesta në të gjithë Afganistanin.

Talebanët janë përgjigjur me dhunë, duke rrahur gratë me shkopinj elektrik apo ndaluar e torturuar gazetarët që mbulonin protestat.

“Brezit të ardhshëm do t’i shpërlahet truri nga ideologjia e talebanëve, pastaj do të përhapet si virusi COVID-19. Bota duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj situate”, thotë Reshmin.

Por presioni ndërkombëtar për t’i mbajtur talebanët përgjegjës për të drejtat e grave dhe vajzave po shpërfillet. Një mori delegacionesh të huaja, agjenci ndihme dhe donatorë, edhe nga Britania e Madhe, përbëheshin nga ekipe vetëm me meshkuj, çka “legjitimon pikëpamjen patriarkale të talebanëve për botën”, paralajmëroi këtë javë Heather Barr nga Human Rights Watch.

Tani, dy muaj nga sundimi i talebanëve, aktivistët thonë se janë duke u përndjekur.

Në javët e fundit, talebanët kanë përshpejtuar goditjen e tyre ndaj grupeve të grave, duke i infiltruar dhe frikësuar ato.

Aktivistët përshkruan sesi në disa raste anëtarët e talebanëve u shfaqën në një adresë private që u diskutua vetëm në grupet e mbyllura të bisedave në mediat sociale. Përpara një proteste të fundit në Kabul, policia talebane thirri një grup grash në telefonat e tyre pak para se të niseshin për të vendosur postera, thotë Reshmin.

Talebanët ndaluan një grup grash që protestonin në Kabul dy javë më parë. Disa gazetarë u sulmuan, ndërsa përpiqeshin të mbulonin demonstratën.

“I vetmi mjet që ata dinë, është të heshtin njerëzit duke i frikësuar”, thotë Mina, profesorë universiteti dhe aktiviste, e cila kërkoi që të përdoret një pseudonim nga frika e hakmarrjes nga talebanët.

Zahra, organizatore tjetër në Kabul, përshkruan metodat që variojnë nga pozimi i grave, si gazetare, për të marrë informacione personale nga protestuesit deri te përhapja e thashethemeve mes aktivistëve se numri i tyre ishte ndarë me anëtarët e talebanëve.

“Talebanët e dinë nëse na godasin në rrugë, do të duken keq dhe do të kritikohen”, thotë Zahra.

Zahra, e cila mori diplomën e saj master në dizajnin urban vitin e kaluar, po mbikëqyrte ndërtimin e një tregu të hapur vetëm për gratë, kur talebanët erdhën në pushtet.

Projekti i financuar nga evropianët është braktisur dhe ajo tani derdh gjithë energjinë e saj në aktivizëm.

Muajin e kaluar, talebanët ndaluan të gjitha demonstratat që nuk kanë miratim zyrtar, duke shtuar kërkesën që parullat në protesta gjithashtu të miratohen së pari nga grupi.

Mina thotë se kjo është një taktikë e krijuar për t’i ekspozuar ata. “Ata po përpiqen të identifikojnë disa nga anëtarët aktivë të lëvizjes së grave. Kështu i detyrojnë të nënshtrohen”, thotë ajo.

Reshmin, e cila po protestonte në rrugët e Kabulit javën e kaluar, thotë se nuk do t’u kërkojë leje talebanëve, sepse “kjo do të thotë se ne kemi pranuar regjimin e tyre”.

Gratë janë gjithnjë e më shumë të kufizuara në shtëpitë e tyre që nga marrja e pushtetit nga talebanët. Felvasa Fariba, 25-vjeçare, me burka, përpiqet të ushqejë pesë fëmijët e saj, pasi burri i saj, Gulam Hassan, merr pak punë si punëtor ditor. Thatësira ka përkeqësuar nivelet në rritje të kequshqyerjes.

Që kur talebanët pushtuan Kabulin pak më shumë se dy muaj më parë, ka pasur një kaskadë lajmesh të mjerueshme për gratë afgane dhe mezi kalon një ditë pa tkurrje të të drejtave të tyre.

Ato pushohen nga puna në mediat shtetërore, nuk mund të punojnë as të shkollohen, të ushtrojnë sport.

“Ne besuam se gratë afgane nuk do të ktheheshin pas në kohë. Ne besuam se lufta jonë kundër talebanëve do të fitohej”, thotë Roya Dadras, zëdhënëse e ministrisë tashmë të zhdukur të çështjeve të grave, godinë që udhëhiqet nga talebanët.

Kjo është situata e rëndë ekonomike e vendit: dimri famëkeq i hidhur afgan po afron dhe me ndihmën e huaj që fuqizoi ekonominë ende kryesisht të pezulluar, 95% e afganëve nuk po marrin mjaftueshëm për të ngrënë, ka paralajmëruar OKB-ja.

Numri i aktivisteve në rrugë po zvogëlohet dhe sforcimi i përpjekjes për të vënë një fytyrë të guximshme mbi problemet e tyre po dëmton shëndetin e tyre.

Anëtarët talebanë rrahën keq motrën e Reshminit në një protestë, duke e lënë dorën e saj të djathtë të papërdorshme për një muaj, dhe lëkura e saj tani vuan nga shpërthime të dhimbshme.

Nëna dhe tre motrat e Reshminit filluan të merrnin ilaçet kundër depresionit disa javë më parë.

Vajza adoleshente e Mina-s, shkollimi i së cilës u ndërpre me ardhjen e talebanëve, u bë aq e stresuar sa filloi t’i bien flokët. Mina ndau një foto të pjesës së pasme të kokës së vajzës së saj, ku dallohen zona të mëdha të lëkurës.

Në provincën Nangarhar në lindje të vendit, ku ka më pak vëmendje të medias ndërkombëtare sesa kryeqyteti afgan, protestat për të drejtat e grave janë thyer me dhunë nga anëtarët talebanë, thotë Rahmani, një aktiviste dhe ish-prokurore. Disa protestuese femra u arrestuan dhe u torturuan gjithashtu, shton ajo.

E frikësuar për jetën e saj, Rahmani javët e fundit është zhvendosur mes shtëpive të të afërmve, duke sjellë me vete vetëm disa veshje çdo herë. “Aktivistët nuk mund të flenë mirë,” thotë ajo.

Pasi kaloi muajin duke u fshehur me burrin dhe tre fëmijët e saj, e tmerruar se talebanët do t’i dëmtonin, Mina dhe familja e saj po përpiqen të ikin në një vend fqinj.

Ajo shpreson të sigurojë mbështetje për ata që ende protestojnë. “Po përpiqem t’i ndihmoj gratë dhe vajzat që janë të frikësuara, të dëshpëruara dhe të shqetësuara. Disa po mendojnë për vetëvrasje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore