Kosova

Qëndrim në Hagë apo rikthim në Kosovë?


Më 11 shkurt do të zhvillohet konferenca e radhës në lidhje me ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky është njoftimi i Dhomës së Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Seanca do të fillojë në orën 11.00.

“Siç është njoftuar në Kalendarin tonë të Gjykatës, Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit do të mbahet më 11 shkurt në orën 11:00”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në aktakuzën e konfirmuar për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet se midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtator të vitit 1999, ata kanë kryer krime lufte.

Si erdhëm këtu?

Konfirmimi i aktakuzës, erdhi fillimisht nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në 5 nëntor 2020, ai dha zyrtarisht dorëheqjen nga pozita e tij si president, pikërisht për këtë shkak.

“Nuk mund të lejoj që përpara drejtësisë, të dalë Presidenti i Republikës”, deklaronte Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme.

Të përfshirë në aktakuzë ishin edhe tre ish funksionarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kadri Veseli, ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, u tërhoq nga çdo aktivitet politik për të shkuar në Hagë.

Rexhep Selimi, ish epror në UÇK, ishte gjithashtu i akuzuar. Listën e përmbyllte ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ky i fundit, gjatë luftës, ka qenë zëdhënës në UÇK.

Katër ditë më pas, Thaçi u paraqit përpara gjykatësve dhe hodhi poshtë çdo akuzë të pretenduar ndaj tij. Binte në sy fakti se dy akuzat kryesore, ishin hequr nga kërkesa. Ato përfshinin vjedhjen e organeve dhe rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.

Krasniqi bëri bujë me daljen e tij përpara akuzës. Ai e quajti gjithë situatën të inskenuar nga Beogradi. Me lot në sy, Krasniqi do të deklaronte:

“Kemi luftuar kundër pushtuesit dhe ju na trajtoni si ndërmarrje kriminale. Këto aktakuza kërkojnë të ndajnë Kosovën në bazë të feve. Unë jam jo fajtor, nuk di si ta them ndryshe. Nuk jam as katolik e as mysliman, jam shqiptar”.

Përplasjet mbi fillimin e gjyqit

18 nëntori ishte seanca e radhës dëgjimore e ish drejtuesve të UÇK-së. Përplasje mbi datën e fillimit të gjyqit pati në këtë seancë.

Prokuroria, kërkoi që gjyqi të nisë në verën e vitit 2021. Pala mbrojtëse gjithsesi, argumentoi se duhen të paktën 18 muaj deri në fillimin e gjykimit. Kjo shkaktoi ngërç në seancën dëgjimore dhe paqartësi mbi çështjen.

Të katër ish pjesëtarët e UÇK-së u vetëdeklaruan sërish të pafajshëm. Kundërshtime pati edhe për formulimin e aktakuzës. Sërish u argumentua se “lufta ka qenë për të mbrojtur popullin kosovar nga gjenocidi serb”.

Priten tashmë zhvillimet në seancën e radhës dëgjimore të 11 shkurtit.Q

Çfarë janë Dhomat e Specializuara pranë Gjykatës së Hagës?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, janë themeluar në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare të ligjit për këto institucione të përkohshme. Kjo marrëveshje ndërkombëtare është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme. Ato kanë mandate dhe juridiksion të përcaktuar, për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera.

Këto krime, pretendohet se janë kryer në Kosovë midis 1 janarit të vitit 1998 dhe 31 dhjetorit të vitit 2000, nga persona me nënshtetësi kosovare dhe persona të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Këto institucione kanë seli në Hagë dhe në Holandë. Personeli, gjykatësit, Prokurori i Specializuar dhe administratorja, janë ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore