Lajme

Qendrës strehuese të viktimave të dhunës, i duhet vëmendje 365 ditë në vit


Qendra Strehuese për viktimat e dhunës në Prishtinë

Ngjyrat e murit të kësaj ndërtese ngjasojnë me ato të kopshteve të fëmijëve.

Por këto mure, nga brenda mbajnë më shumë emocione.

Rrëfimet e lloj-llojshme të grave të cilat kanë përjetuar dhunë në familje, të përcjella me lotë e ofshama, në periudha të ndryshme, kanë lënë gjurmë në ngjyrat dhe hapësirat e kësaj shtëpie.

Fotografi në mur, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

Është Qendra për Strehimin e grave dhe fëmijëve, viktima të dhunës në familje.

Gjendet në Prishtinë, por adresa e sajë asnjëherë nuk bëhet publike për shkak të rrethanave.

Por, ata që qëndruan në të, nuk mund t’i harrojnë ditët që i kaluan aty.

Fëmijë të angazhuar në aktivitete, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

Zana Hamiti, Drejtoresha e kësaj qendre, një grua shumë e kujdesshme dhe punëtore, bashkë me gra të tjera që ka në staf, në mesin e tyre, psikologe, sociologe, mjeke e juriste, ofron ndihmë për të gjitha ato gra të cilat u trokasin në derë.

Qendra i ka të gjitha funksionet e një shtëpie të zakonshme, duke bërë kështu që gratë të ndihen komod për të qëndruar në të, për aq kohë sa arrijnë të zgjedhin problemin e tyre.

Fëmijë të angazhuar në aktivitete, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

Përgatisin ushqim, pastrohen, mirëmbajnë ambientin ku jetojnë dhe kujdesen për fëmijët e tyre bashkë me stafin e qendrës, me të cilët bashkëjetojnë.

Sa herë kanë nevojë për konsulta mjekësore ose vizita, ato shoqërohen në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare ose edhe në QKUK.

Shoqërohen edhe në seanca gjyqësore, duke iu ndihmuar që bashkërisht ta tejkalojnë procesin në të cilin ndodhen ato.

Kjo qendër ka dyert e hapura 24 orë, dhe punon çdo ditë. Por vëmendjen më të madhe e merr në ditë të caktuara, sikur tani.

Sa herë fillon java e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore, shoqëria dhe administrata shtetërore rikthejnë shikimin te qendrat strehuese për nënat dhe fëmijët.

Në një prononcim për Albanian Post, Zana Hamiti, Drejtoresha e Qendrës, tregon se përballen me sfida të një pas njëshme.

“Përveç mungesës së qëndrueshmërisë financiare, sfidë tjetër është edhe ri-integrimi i viktimave”, ka treguar Hamiti.

Drejtoresha e cila udhëheqë shtëpinë strehuese në Prishtinë, thotë se në dy vitet e fundit, strehimorja ka pasur progres në përkrahje nga institucionet e vendit.

“Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për tri vjet me komunat e regjionit të Prishtinës për përkrahje financiare”.

“Tash së fundi me Komunën e Prishtinës u nënshkrua marrëveshja për ri-integrimin e rasteve me kushte të rënda socioekonomike”.

Zana Hamiti tregon se kjo marrëveshje, fatkeqësisht, vlen “vetëm për rastet e Prishtinës”.

Kjo qendër, sipas Drejtoreshës, ka nevojë urgjente për krijimin e një lindje të sigurt buxhetore.

“Tani për tani, nevojë të domosdoshme e kemi krijimin e një linje buxhetore”, krejt kjo, sipas sajë, “do të kishte siguruar stabilitet së paku për tri vite”.

“Për aq sa e kemi edhe licencën”, shtoi Hamiti.

Disa fëmijë bashkë në një dhomë qëndrimi, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

Gjatë mandatit të fundit të qeverisjes komunale të Prishtinës, në të cilën Drejtoria për Punë e Mirëqenie Sociale udhëhiqej nga Dren Kukaj, strehimorja ka përfituar shumë.

“Renovim total”, tregon Hamiti, për AP.

“Mirëpo tani edhe me projekte tjera është investuat në strehimore”.

Përveç drejtorisë komunale, strehimorja është ndihmuar dhe nga organizata të huaja.

“Save the Children ka përkrahur strehimoren për investime të shumta. Në rregullimin e kopshtit, rrethojat e oborrit e disa projekte të tjera të cilat i kemi pasur shumë të nevojshme, edhe për sigurinë por edhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve të cilët qëndrojnë përkohësisht në qendrën tonë”, rrëfen Hamiti.

“Marrëveshja për tri vjet me komunat e regjionit është realizuar falë OSBE-së”, ka thënë më tej ajo.

Por kjo Qendër Strehuese nuk e ka vëmendjen e duhur gjithmonë.

“Kuptohet që në kampanja flitet e premtohet më shumë”.

Në këtë shtëpi të sigurt për nënat dhe fëmijët, larg mundësive për të përjetuar dhunë, numri i grave është i ndryshëm. Në të njëjtën kohë, në qendër kanë mundësi të qëndrojnë 19 gra e fëmijë, njëkohësisht, pasi që kaq është kapaciteti i sajë.

Por në raste emergjente, qendra mund të vë shtretër emergjent, duke e shtuar numrin deri në 25.

Fëmijë të angazhuar në aktivitete, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

“Numri i viktimave të strehuara ndryshon nga dita në ditë”, tregon Hamiti, “nga janari e deri më tani ne kemi pasur të strehuara 121 raste”.

“Varësisht nga zgjidhja e problemeve ato qëndrojnë në këtë shtëpi, nga 24 orë e deri në 6 muaj, por kjo nuk nënkupton që pas 6 muajsh i largojmë”, ka shtuar më tej ajo.

Zana Hamiti tregon se aktualisht i ka katër raste të strehuara në qendër.

“Edhe pse muaji tetor dhe nëntor ka pasur një numër të shtuar të rasteve. Shembull në tetor i kishim 24 raste”.

Në procesin e zgjidhjes së rastit mes prindërve, pas dhunës në familje dhe veprave të ngjashme, Hamiti tregon se fëmijët të cilët vinë me nënat e tyre, nuk e ndërpresin mësimin, për aq kohë sa janë të detyruar të qëndrojnë në këto hapësira.

“Çka është me rëndësi, është se fëmijët nuk e ndërprejnë procesin mësimor.  Kemi arritur të bëjmë marrëveshje me shkollën e lagjes dhe fëmijët, me automatizëm vazhdojnë mësimin në cilindo nivel”.

Fëmijë të angazhuar në aktivitete, brenda Qendrës Strehuese për viktimat e dhunës

Duke filluar nga e enjtja e 25 nëntorit, e për 16 ditë me radhë, Kosova i bashkëngjitet botës në shënimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës mbi baza gjinore.

Kjo fushatë këtë vit ka moton “Ta ngjyrosim botën me ngjyrë portokalli- dhuna ndaj grave duhet të përfundojë tani!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore