Lajme

Qemajl Aliu merr detyrën si kryetar i Shtimes: Është nder dhe përgjegjësi t’iu shërbej bashkëqytetarëve


Qemajl Aliu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të mërkurën e një dhjetorit ka pranuar detyrën e kryetarit të komunës së Shtimes.

Qemajl Aliu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të mërkurën e një dhjetorit ka pranuar detyrën e kryetarit të komunës së Shtimes.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Aliu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, teksa ka dhënë betimin e tij ka thënë se do të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe se për të “është nder dhe përgjegjësi”.

“Sot, zyrtarisht pranova detyrën e kryetarit të Komunës së Shtimes për katër vitet e ardhshme. Është nder dhe përgjegjësi e madhe t’i shërbej bashkëqytetarëve të mi”, ka shkruar ai.

Ish-kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, dhe kryetari i ri, Qemajl Aliu

Po ashtu, Aliu, ka thënë se këtë pozitë “ashtu siç kam premtuar do ta mbaj me ndershmëri, përkushtim e transparencë ndaj të gjithë qytetarëve”.

“Që nga sot, unë do të jem në shërbimin tuaj për të jetësuar plan programin tim qeverisës me përgjegjësi të plotë e llogaridhënie. Ky plan ka në fokus mirëqenien tuaj dhe zhvillimin e komunës, andaj është koha që të punojmë së bashku për Shtimen tonë”, shtoi ai.

“Zotimet që do të punoj me ndershmëri dhe pastërti ia dhashë edhe babës e mixhallarëve të mi të ndjerë të cilët do t’i nderoj e bëj krenar siç ata ma kanë lënë porosi”.

Qemajl Aliu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i Shtimes

Ndërkaq, Aliu arriti që në balotazh të fitojë 50.67 për qind të votave të përgjithshme, duke lënë pas kundër kandidatin e tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli, i cili arriti të marrë 49.33 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore