Shqipëria

Qëllohet policia në Elbasan


Një person i armatosur me iniciale J.K ka qëlluar me armë zjarri drejt forcave të policisë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zavalinë të Elbasanit.

Mësohet se shërbimet e policisë së Elbasan-it kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit J.K për kontroll banese, me vendimin e gjykatës, pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje.

Në momentin që shërbimet e policisë kanë arritur në banesën e tij, ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar këtyre të fundit, ka qëlluar me armë zjarri drejt tyre duke ua rrezikuar jetën.

Nga të shtënat nuk ka pasur punonjës policie të lënduar. Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë.

Drejt vendngjarjes u nisën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe forcat speciale RENEA, të cilat arrestuan shtetasin.

Sipas policisë, në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 13mijë e 500 fishekë model 56, një kuti me 70 fishekë pistolete, 30 granata difesive, rreth dy kilogram kanabis sativa dhe një sasi me fara kanabisi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore