Bota

Qëllimi i tyre është të na shkatërrojnë të gjithëve/Të burgosurit e kampit Ujgur rrëfejnë përdhunimet sistematike


Gratë në kampet ri-edukuese për ujgurët në Kinë, janë dhunuar, abuzuar seksualisht dhe torturuar sistematikisht, sipas të dhënava nga BBC.

Tursunay Ziawudun kaloi nëntë muaj brenda sistemit të gjerë dhe sekret të kampeve të internimit të Kinës në rajonin e Xinjiang. Sipas të dhënave, më shumë se 1 milionë burra dhe gra janë arrestuar në rrjetin e përhapur të kampeve, për të cilat Kina thotë se ekzistojnë për “riedukimin” e Ujgurëve dhe të pakicave të tjera.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se qeveria kineze gradualisht i’u ka hequr gjithë liritë, përfshirë atë fetare, Ujgurëve. Një sistem shtypës i mbikëqyrjes masive, ndalimit, indoktrinimit është duke u zbatuar duke arritur deri në praktikimin e sterilizimit të detyruar.

Politika ka rrjedhur gjatë kohës kur presidenti i Kinës, Xi Jinping, vizitoi rajonin ujgur të Xinjiang në vitin 2014. Xi Jinping i mbijetoi një një sulmi terrorist nga separatistët Ujgur.

Pas pak, sipas dokumenteve të rrjedhura në New York Times, ai udhëzoi zyrtarët lokalë të përgjigjen “absolutisht pa mëshirë”. Sipas qeverisë amerikane, veprimet e Kinës që prej atij viti arritën në një gjenocid.

Ndërkohë, Kina i’u është përgjigjur ndaj akuzave duke thënë se janë thjesht “gënjeshtra dhe absurditete”.

Raporte të ndodhive brenda kampeve të internimit janë të rralla. Por, disa ish të arrestuar dhe një roje kanë thënë për BBC se kanë parë prova të një sistemi të organizuar të përdhunimit masiv, abuzimit seksual dhe torturës.

Tursunay Ziawudun, pas lirimit të saj nga Xinjiang tha se gratë merreshin çdo natë nga qelitë dhe përdhunoheshin nga një ose më shumë burra kinezë të maskuar.

Ajo tha se u torturua dhe më vonë u përdhunua në grup, në tre raste, secila herë nga dy ose tre burra.

Gulzira Auelkhan, një grua kazakase nga Xinjiang e intervistuar për BBC-në, tha se ishte ndaluar për 18 muaj në sistemin e kampit. Ajo tha se e detyruar ka zhveshur gratë Ujgure lakuriq, i ka prangosur dhe më pas i ka dorëzuar tek disa burra kinezë.

Disa ish të arrestuar të kampeve kanë përshkruar se janë detyruar të ndihmojnë rojet për mos u përballur me dënime.

Auelkhan tha se ishte e pafuqishme të rezistonte ose të ndërhynte.

Ndërkohë, sipas Ziawudun disa nga gratë që u morën natën nga qelitë nuk u kthyen më kurrë. Ato që u sollën përsëri u kërcënuan që të mos tregonin se çfarë kishte ndodhur me ato.

Ujgurët, janë një grup pakicash, kryesisht myslimane turke që arrijnë në rreth 11 milionë në Xinjiang, në Kinën veri-perëndimore.

Rajoni kufizohet me Kazakistanin dhe është gjithashtu shtëpia e kazakëve etnikë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore