Shqipëria

Qarku i Shkodrës në duart e Enkelejd Alibeajt pas dorëheqjes së Bushatit


“Duke e konsideruar qarkun Shkodër si një nga më të rëndësishme për Partinë Demokratike, Kryetari Lulzim Basha ka vlerësuar se qarku Shkodër ka të domosdoshme drejtimin nga një funksionar i lartë i PD-së dhe ka zgjedhur si drejtues politik nënkryetarin dhe kreun e Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj”.

Kështu ka bërë të ditur në një deklaratë Partia Demokratike, fill pas dorëheqjes së Helidon Bushatit nga drejtuesi i politik i PD-së për Qarkun e Shkodrës, duke i kaluar përgjegjësinë Alibeajt.

Ndërkaq Basha ka falënderuar punën e Bushatit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, theksoi faktin se nën drejtimin e Alibeajt Qarku Shkodër do të jetë një bastion i fuqishëm i PD-së.

“Shpreh bindjen se me drejtimin e ri politik, PD-ja në Qarkun e Shkodrës do të jetë bastion i fuqishëm dhe në krye të fitores në gjithë Shqipërinë”, përmbyllet deklarata.

Përmes një statusi në Facebook, Bushati njoftoi dorëheqjen dhe sqaroi se vendimin e mori “pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD”.

“PD-ja po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratët do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku”, ishte mesazhi i Bushatit.

Nga ana tjetër ai njoftoi se do të vazhdojë të japë kontributin e tij në PD.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore