Shqipëria

Qarku Fier, motori i prodhimit bujqësor shqiptar


Qarku i Fierit zë vendin e parë përsa i përket prodhimit bujqësor në gjithë vendin dhe gjithashtu sipërfaqen më të madhe të mbjellë me prodhime. Qarku, i cili përfshin rrethin e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës, është kthyer në një motor ekonomik të vërtetë me investimet në bujqësi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, INSTAT, qarku i Fierit zë 21% të sipërfaqeve të mbjella në gjithë vendin. Në disa sektorë madje, në pesë vitet e fundit, ka një rritje prej 65% të kultivimit.

Fieri renditet i pari në vend përsa i përket sipërfaqes dhe prodhimit të drithërave në Shqipëri. Prodhimi i grurit, misrit, thekrës dhe elbit është thuajse dy herë më i lartë se sa qarku i dytë që ndjek në renditje, ai i Elbasanit. Fieri prodhon 171,5 tonë drithëra ndërkohë që Elbasani 97,5 tonë.

Përsa i përket prodhimi të perimeve, Fieri mban vendin e parë me 484,4 tonë. Ai është rreth katër herë më i lartë se vendi i dytë që mbahet nga Tirana. Kryeqyteti prodhon 128 tonë. Një e treta e prodhimit të perimeve shqiptare, vjen nga Fieri.

Në prodhimin e patateve, për të cilin qarku i Korçës dhe ai i Kukësit kanë qenë gjithnjë mbi të tjerët, Fieri ka marrë epërsinë. Ky qark prodhon 305 tonë patate në vit, duke lënë pas Korçën me 292.

Në prodhimin e perimeve të njoma ndërkohë, Fieri është përgjegjës për 36% të rendimentit kombëtar. Bie në sy fakti që sipërfaqja e mbjellë është pak më e madhe se ajo e Tiranës, por prodhimi është thuajse katër herë më i madh se kryeqyteti.

Në pemët frutore, këtë herë është Korça, qarku që merr epërsinë, me dyfishin e prodhimit të Fierit. Gjithsesi, nëse në ekuacion përllogarisim edhe pemë të tjera si ullinjtë, agrumet apo rrushin, Fieri del sërish në vend të parë në rang kombëtar.

Cilat qytete prodhojnë më shumë?

Pavarësisht faktit se qarku është ai i Fierit, vetë qyteti, nuk është kontribuuesi kryesor në zhvillimin e bujqësisë. Divjaka, është kryesorja, me 37% të prodhimit të perimeve në qarkun Fier.

Vendi lagunor prodhon 181 mijë tonë perime në vit, duke qenë i pari në gjithë Shqipërinë. Ai ndiqet menjëherë më pas nga Lushnja. Qyteti që dikur njihej për fabrikën e plasmasit, sot është i famshëm për prodhimin e perimeve. Lushnja prodhon 174 mijë tonë perime në vit.

Qyteti i Fierit prodhon 73 mijë tonë perime dhe ndiqet në rang qarku nga Roskoveci, me 33 mijë tonë. Renditjen brenda qarkut e mbyllin Patosi dhe Mallakastra.

Kjo rritje e pesë viteve të fundit në qarkun e Fierit, lidhet drejtpërdrejtë me investimet në sera. Kthimi i emigrantëve për të investuar në Shqipëri, ka qenë gjithashtu i rëndësishëm dhe kontributor në zhvillimin e qarkut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore