Lajme

Qalaj: Policia po sulmohet në veri me të njëjtat mjete që i ka përdorur LVV-ja


Rashit Qalaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka thënë se Policia e Kosovës është duke u sulmuar në veri me mjete të njëjta që i ka përdorur Lëviza Vetëvendosje gjatë protestave në opozitë.

“Policët që janë lënduar e të cilët janë trajtuar jashtë vendit, sot po sulmohen në një pjesë të territorit. Po sulmohen me mjete të ndryshme, pra, të zjarrit. Por po sulmohen edhe me iriqë, të cilët iriqë, të njëjtit janë përdorur në mes të Prishtinës ndaj një kryeministri që ka qenë në atë kohë”, tha ish-komandanti i Policisë.

Ai ka kujtuar edhe protestat e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Patëm protesta të dhunshme dhe tentativa me i kallë zyret e qeverisë, ndërtesën e qeverisë me koktej të molotovit për procese të ndryshme. U lënduan policë, u lënduan aktivistë tuaj, u lënduan qytetarët që kanë qëlluar rastësisht dhe ku jemi sot me qëndrime?”, tha ai.

“Ata aktivistë tuaj të cilët janë lënduar, janë arrestuar, janë akuzuar, janë dënuar, sot nuk kanë mundësi pikërisht për shkak të atyre dënimeve të punësohen e as të marrin vizë”, theksoi Qalaj.

Në fund iu drejtua pozitës duke i thënë, “mos harroni, me hajna nuk ka shtet”.

Për këtë që deklaroi Qalaj, reaguan dy deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në zyrën e një parie politike me njësinë FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në PK, përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet”, tha Artan Abrashi.

Kritika ndaj tij adresoi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Salih Zyba.

“Ky ka qenë aparatura e dhunës së shkaktuar ndaj aktivistëve”, deklaroi ai, duke i thënë “do të jesh përgjegjës”.

Për një gjë të tillë, Qalaj ka thënë se nuk është pishman dhe se ka vepruar ligjshëm.

“Jam shumë krenar që kam zbatuar urdhrat e ligjshëm të drejtësisë së Kosovës. Po, është e vërtetë se unë kam urdhëruar, nuk jam pishman asnjë sekondë të vetme. Do të veproja edhe sot njëjtë, pa asnjë dyshim. Jam krenar që jam edhe anëtar i PDK-së, shumë krenar”, ka thënë ai.

Me AK-47 dhe granata dore, sulmohet Policia e Kosovës në Veri

Policia e Kosovës është sulmuar sërish në veri të Kosovës, mëngjesin e së martës.

Të premten e 15 prillit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe A47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla, që në konferencë ishte bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Ndryshe, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore