Lajme

PZAP shqipton gjoba mbi 120 mijë euro, PDK e VV shkelësit më të mëdhenj


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqyrtuar dhe vendosur 138 ankesa lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

PZAP ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej 121,250.00 € për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes.

Partia Demokratike e Kosovës është subjekti politik me më së shumti gjoba të shqiptuara nga PZAP. Më saktësisht, PDK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 42,500.00 €.

PDK-në e ndjek Lëvizja Vetëvendosje me gjoba të shqiptuara në shumë prej 37,500.00 €. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta në listë me gjoba në shumë prej 22,000.00 €.

Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 16,250.00 € dhe NISMA-s Socialdemokrate i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 2,000.00 €.

Ndaj subjektit politik Lista Srpska janë shqiptuar gjoba në shumë prej 1,000.00 €.

Ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të vendvotimeve, qytetarë, vëzhgues, etj.

Prej 138 ankesave të shqyrtuara, paneli ka vendosur që t’i pranoj si të bazuara 117 ankesa, 7 ankesa i ka refuzuar si të pabazuara, 11 ankesa i ka hedhur si të palejuara, 2 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme, si dhe 1 ankesë është tërhequr.

Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebook, bërja e fushatës me veturë 100m afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS për votim tek qytetarët, etj.

PZAP informon se kanë mbetur edhe 10 ankesa për të cilat nuk është vendosur ende për arsye procedurale, por për të cilat do të merret vendim ditën e enjte, 18 shkurt 2021.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore