Lajme

Putin uron Macron për fitoren


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar homologun e tij francez të rizgjedhur në detyrë, Emmanuel Macron, pasi ky i fundit mundi në zgjedhjet presidenciale kandidaten nga e djathta ekstreme, Marine Le Pen.

“Presidenti e ka uruar homologun e tij Macron pas rizgjedhjes”, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve duke iu referuar një njoftimi të Kremlinit.

Gjithsesi, asnjë detaj mbi atë çfarë Putin i ka thënë Macronit nuk është bërë i ditur.

Rivalja e kreut të Elysee-së, Le Pen, është shumë më e afërt me vetë Putinin dhe një fitore e saj do të mund të vinte në rrezik qëndrimin e Francës në Bashkimin Evropian, pavarësisht faktit se retorika e saj ndaj unionit qe më e zbutur në vitet e fundit të politikës në Francë.

Gjithashtu, atashimi i Le Pen me Putinin ishte edhe një ndër pikat ku Macron e sulmoi kundërshtaren gjatë fushatës dhe në veçanti gjatë debatit televiziv.

Një kredi e marrë nga partia e saj në një bankë ruse, është bërë edhe epiqendër e sulmeve të Macron ndaj Le Pen dhe sipas sondazheve, ka pasur ndikim në rezultatin përfundimtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore