Lajme

Putin thotë se sanksionet janë “rrezik” për botën


Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi sërish Perëndimin të mërkurën, duke thënë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë janë një “rrezik” për botën.

Duke folur në një Forum Ekonomik në lindjen e largët të Rusisë, Putin tha se vendet perëndimore janë përpjekur në mënyrë agresive të imponojnë mënyrën e tyre të jetesës në vendet e tjera dhe t’i bëjnë ato “të nënshtrohen ndaj vullnetit të tyre”.

“Pandemia është zëvendësuar nga sfida të reja të natyrës globale, që mbartin një kërcënim për të gjithë botën, po flas për nxitimin e sanksioneve në Perëndim dhe përpjekjet flagrante agresive të Perëndimit për të imponuar modus vivendi në vendet e tjera, për të marrë sovranitetin e tyre dhe për t’iu nënshtruar vullnetit të tyre”, deklaroi Putin.

Ai iu drejtua delegatëve në Forumin Ekonomik Lindor të Rusisë në Vladivostok, një qytet port në bregun rus të Paqësorit.

Putin tha se nuk ka “asgjë të re” në lidhje me politikën e Perëndimit, por shtoi se situata aktuale u nxit nga “rrëshqitja e dominimit” të Shteteve të Bashkuara në politikën dhe ekonominë globale.

Ai shtoi se Perëndimi ka hezituar të njohë “ndryshime tektonike të pakthyeshme” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se rajoni i Azisë-Paqësorit është bërë një magnet për burimet njerëzore, kapitalin dhe kapacitetet prodhuese.

“Pavarësisht kësaj, vendet perëndimore po përpiqen të ruajnë rendin e vjetër botëror që vetëm u leverdis atyre”, shtoi shefi i Kremlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore