Lajme

Putin refuzoi forcat amerikane pranë Afganistanit


Pas tërheqjes së trupave ushtarake nga Kabuli, amerikanët po shpresojnë të vendosin forca pranë Afganistanit në menyrë të përkohshme, por këtë e kundërshton Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Ky i fundit, gjatë takimit të 16 qershorit me presidentin amerikan, Joe Biden, ka dalë kundër çdo roli që SHBA-të mund të kenë në shtetet e Azisë Qendrore.

Kjo lëvizje, tenton ti vërë fre mundësisë për ndërhyrje amerikane në Lindjen e Mesme.

Gjithsesi, nga Samiti Biden-Putin, asnjë detaj i tillë nuk pati dalë në dritë.

Sipas raportimeve, ky mohim i Putin-it, i ka komplikuar përpjekjet e amerikanëve për të vendosur dronë ushtarakë dhe forca të kundërterrorizmit.

Nga shkëmbimi i informatave, lihet të kuptohet se Moska, është e vendosur të mbajë sferën e saj të influencës në Azinë Qendrore. Kështu, bashkëpunimi me amerikën, nuk u zgjerua.

Një ish-ekspert i Departamentit të Shtetit, Paul Goble, komentoi mbi ngjarjen se rusët nuk kanë interes që SHBA-të të jenë të pranishëm në rajon.

Këtu, përfshihen shtete si Uzbekistani, Kirgistani apo Tajikistani. Ky i fundit madje, nuk pranoi të strehonte presidentin në largim të Afganistanit, Ashraf Ghani. Ky i fundit, u arratis nga Kabuli menjëherë pas mësymjes talebane.

Në detajet e publikuara nga e përditshmja amerikane “Wall Street Journal” mbi takimin Biden-Putin, bie në sy edhe faktorizimi i Kinës. Sipas këtyre burimeve, Pekini zyrtar, ishte në të njëjtën linjë me Moskën.

Në një tjetër prononcim për “Wall Street Journal”, zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Rusi, Sergei Ryabkov, tha se “nuk ishte në interes të Kremlinit, përfshirja e amerikanëve në Afganistan apo vende fqinje të rajonit”.

Madje, edhe pas zhvillimeve të fundit në Kabul, ky qëndrim nuk ka ndryshuar.

Gjithë situata nga Rusia, shihet si potencial politik, edhe pas marrjes së kontrollit të shtetit nga talebanët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore