Lajme

Putin pret Lukashenkon për bisedime, Krimeja “në tavolinë”?


Nga e majta, Aleksandër Lukashenko dhe Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin priti të martën e 13 korrikut udhëheqësin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

Ky i fundit është mbështetur te Moska mes tensioneve në rritje me Perëndimin.

Lukashenko falënderoi Putin-in për “mbështetjen shumë serioze të Rusisë” dhe u zotua se vendi do të shlyente në mënyrë të rregullt huatë e tij.

Putin-i, nga ana e tij, e vlerësoi Bjellorusinë si një “partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm” gjatë bisedimeve të tyre në Shën Petersburg.

Ekonomia bjelloruse, e cila vuajti pandeminë e coronavirus-it, mori një goditje të re, pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione kundër disa prej eksporteve të saj kryesore.

Kjo, për devijimin e Bjellorusisë të një avioni pasagjerësh më 23 maj për të arrestuar një gazetar të opozitës.

Lukashenko denoncoi kufizimet dhe njoftoi se Bjellorusia do të ndalojë bashkëpunimin me BE-në për ndalimin e migracionit të paligjshëm si hakmarrje për sanksionet ekonomike.

Bjellorusia u trondit nga protesta me muaj të tërë, të cilat u shkaktuan nga rizgjedhja e Lukashenkos për një mandat të gjashtë që u pa gjerësisht si e manipuluar.

Autoritetet iu përgjigjën demonstratave me një goditje masive që pa më shumë se 35 mijë njerëz të arrestuar dhe mijëra të dhunuar nga policia. Figurat kryesore të opozitës janë burgosur ose janë detyruar të largohen nga vendi.

Max Seddon, korrespondent i Moskës në Financial Times, ka shkruar më herët në Twitter se një nga pikat në agjendën e takimit, mund të jetë njohja e palës bjelloruse për kontrollin e Rusisë mbi Krimenë.

Kjo, duke lejuar fluturimet aty, meqenëse shumica e destinacioneve janë të ndaluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore