Lajme

Putin paralajmëron: Paguani me rubla ose do t’u japim fund kontratave të gazit


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka mbajtur një deklaratë për mediat të enjten e 31 marsit.

Ai ka njoftuar se ka nënshkruar një dekret ku shkruhet se blerësit e huaj, duke nisur nga e premtja e 1 prillit, duhet të paguajnë në rubla për gazin rus .

Pas vendosjes së sanksioneve të reja kundër Rusisë, Putin tha se “lufta ekonomike” kundër Rusisë në fakt filloi vite më parë.

Në përgjigje të lëvizjes së Rusisë për të detyruar blerësit e huaj të paguajnë në llogaritë e rublave për gazin rus, Gjermania ka thënë se nuk do të shantazhohet nga Putin-i.

Robert Habeck, ministri i Ekonomisë, tha se aleatët, me të cilët ai ka folur, besojnë se kontratat ekzistuese të gazit duhet të respektohen.

Ai shtoi se ende nuk ka parë ndonjë faturë të re gazi nga Rusia dhe këmbëngul se ata janë të përgatitur për çdo gjë që mund të vendosë Putin-i për gazin.

Gazi rus përbën rreth 40% të importeve të gazit natyror të BE-së, me Gjermaninë klientin më të madh deri tani.

Pagesa në rubla

Më herët, Rusia tha se do të refuzojë të pranojë pagesa për furnizimet e gazit natyror në monedha të “kompromentuara”, duke përfshirë dollarin dhe euron, dhe do të kalojë në pagesat me rubla.

“Kam marr vendimin për të zbatuar brenda një kohe sa më të shkurtër paketën e masave për transferimin e pagesave. Do të fillojmë me këtë, për gazin tonë natyror, me të cilin furnizohen të ashtuquajturave shtete ‘jomiqësore’, me rubla ruse”, tha presidenti.

Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz për vendet e tjera në përputhje me vëllimet dhe çmimet e përcaktuara në kontratat e lidhura më herët, vuri në dukje Putin.

“Do të doja të theksoja se Rusia patjetër do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror në përputhje me vëllimet dhe çmimet e përcaktuara në kontratat e lidhura më herët”, shtoi kreu i shtetit.

Konsumatorët e huaj duhet të kenë mundësinë të bëjnë transaksionet e kërkuara pas konvertimit në rubla, tha udhëheqësi rus.

“I kërkoj qeverisë t’i japë një direktivë të përshtatshme Gazpromit për të bërë ndryshime në kontratat efektive. Në të njëjtën kohë, të gjithë konsumatorëve të huaj duhet t’u jepet mundësia për të kryer transaksionet e kërkuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore