Stil

Punonjësit që nuk largohen kurrë nga kompania


Kanë qenë të shumtë punonjësit që kanë përfituar nga ndryshimi i peizazhit të punësimit prej viteve të pandemisë.

Ata janë bërë më kërkues dhe i kanë ndërruar industritë.

Dhe teksa mundësitë e punës lulëzojnë, ky riorganizim e ka përmbysur idenë e “njeriut të kompanisë”. Në rastin më të mirë e ka bërë këtë ide të duket e vjetërsuar.

Edhe pse shumë prej punonjësve kanë zgjedhur të lëvizin drejt një ambienti të ri pune, shumë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë në një vend.

Faktorë si kultura e fortë organizative, rrugët e qarta të karrierës dhe siguria e punës kanë më shumë joshje për disa punonjës. Dhe ata janë të kënaqur me zgjedhjen e tyre për të qëndruar në të njëjtin vend ku kanë punuar për vite me radhë.

Referuar ekspertëve, renditet dy arsye kryesore që punonjësit qëndrojnë në të njëjtën kompani për gjithë jetën.

Së pari, disa kompani të mëdha janë krijuar për të zhvilluar, promovuar dhe mbajtur punëtorët në mënyra që të tjerët nuk e bëjnë, që do të thotë se punonjësit ambiciozë mund të arrijnë majat e karrierës së tyre pa ndryshuar vendin e punës.

Në raste të tjera, punonjësit mund t’i japin përparësi komoditetit dhe stabilitetit financiar, ta shohin karrierën e tyre si një mjet për të arritur një qëllim dhe të zënë vendin e tyre deri në pension.

Eksperti Allan Lee ka treguar se nevoja për të përparuar në jetë dhe për të arritur është e lindur.

Një kompani e vetme mund ta përmbushë këtë dëshirë dhe të plotësojë nevojat e punëtorëve ambiciozë, duke ofruar një rrugë të përcaktuar mirë karriere dhe një ndjenjë përparimi.

Por jo çdo punonjës rritet në majë të hierarkisë së kompanisë ku punon për vite me radhë.

Disa punonjës mund të jenë të kënaqur me një renditje të qëndrueshme, të nivelit të mesëm deri në pension.

“Ata mund ta vlerësojnë zotërimin e një pozicioni dhe marrjen e rolit të një eksperti”, ka thënë Johnny C Taylor Jr, president i Shoqatës për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (Shrm), me qendër në Washington.

Sipas tij, kjo u lejon atyre që më pas të gëzojnë stabilitet dhe një ekuilibër më të madh punë-jetë, kundrejt pozitave drejtuese dhe ekzekutive të nivelit më të lartë.

Po ashtu lëvizjet mbartin edhe rrezik. Stabiliteti dhe rehatia e karrierës mund t’i bindin punonjësit të qëndrojnë në një organizatë.

Edhe praktikat financiare mund të nënkuptojnë se një organizatë që ofron rritje të qëndrueshme pagash dhe plane pensionesh është më e aftë t’i mbajë punëtorët për një kohë të gjatë.

“Pasiguria mund të jetë një burim stresi. Njerëzit duan siguri. Dikush që e di se ka një punë për të ardhmen e parashikueshme mund të jetë një motivues i fortë për të qëndruar”, ka theksuar Lee.

Punësimi gjatë gjithë jetës është më i zakonshëm në korporatat shumëkombëshe të themeluara prej kohësh, ku sigurimi i mirë i pensioneve, strukturat transparente të pagave dhe departamentet e larmishme nënkuptojnë se punëtorët mund të kenë më pak nxitje për të kërkuar tregun e punës për një karrierë diku tjetër.

“Nëse puna ofron atë që njerëzit kanë kërkuar gjithmonë nga puna – një mënyrë për të bërë një jetesë të denjë, si dhe për të gjetur dinjitet dhe përmbushje – atëherë besnikëria e punonjësve është shumë më e lehtë për t’u arritur”.

Kështu ka thënë eksperti Rick Wartzman.

Gjithashtu rolet e sektorit publik mund t’u ofrojnë punonjësve një stabilitet më të madh afatgjatë.

“Bizneset private ndikohen më shumë nga paqëndrueshmëria e tregut, ndërsa sektori publik ka më shumë gjasa të ofrojë plane pensioni dhe siguri në punë”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet dhe besnikëria janë gjithashtu faktorë vendimtarë te një punonjës që zgjedh të qëndrojë në një kompani për një kohë të gjatë.

Punëtorët mund të zgjedhin të qëndrojnë te një punëdhënës për dekada për shkak të një përpjekjeje të brendshme për të ndjerë përkatësi.

Sipas Lee, një punonjës ka më pak gjasa të ndryshojë vendin e punës nëse mendon se me këtë humbet një pjesë të vetes duke u larguar.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore