Shqipëria

Punonjësit e Portit të Shëngjinit pezullojnë punën, dalin në protestë


Punonjësit e Portit të Shëngjinit kanë dalë përsëri në protestë.

Mosmarrja e pagave prej tre muajsh ka bërë që ata të pezullojnë punën dhe të mblidhen brenda ambienteve të ndërmarrjes.

Çka punonjësit kërkojnë është zgjidhja e problemit që sipas tyre u ka krijuar vështirësi financiare.

Në mbështetje të protestës ka qenë dhe Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj, sipas të cilit shqetësimi i tyre do t’i përcillet qeverisë shqiptare.

Në portin e Shëngjinit janë 117 punonjës që po përballen me vështirësitë e pagesave prej kohësh. Dhe kjo është protesta e dytë që organizojnë brenda kësaj jave.

Ata janë ngritur në protestë pasi pretendohet se prej tre muajsh, ata nuk i kanë marrë pagat e tyre dhe kanë lajmëruar se nëse problemi nuk e merr një zgjidhje, atëherë ata do ta bllokojnë përfundimisht punën.

Sipas tyre, ndërmarrja, e cila është me vetëfinancim, po falimenton për shkak të keqmenaxhimit.

Ndaj, i kanë kërkuar zyrtarisht drejtuesve të Portit, të shpallin falimentin, ashtu si parashikohet në bazën ligjore.

Kësisoj, të mundet të marrë zgjidhje edhe problemi i tyre me pagat dhe puna të rifillojë normalisht.

Një demonstratë të tillë ata e kanë bërë edhe në muajin janar, ku bëhej me dije edhe fakti se nga 131 punonjësit që Porti ka, rreth 30 prej tyre nuk shkonin në punë dhe kjo lidhej pikërisht me keqmenaxhimin.

Nga vetë autoriteti portual, akuza të tilla nuk qëndrojnë, pasi punonjësit që nuk shkojnë në punë nuk paguhen.

Megjithatë, problemet me financimin, nuk janë mohuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore