Lajme

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë. Duan rritje të pagave


Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar protestë për ngritjen e pagave.

Të përfaqësuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, në konferencën për medie u bë e ditur se protesta do të mbahet të enjten nga ora 12:00.

Kryetari i sindikatës, Nexhat Llumnica, tha se protesta ka për qëllim një kërkesë esenciale, paga të dinjitetshme karshi punës dhe rrezikshmërisë që punëtorët e KEK-ut kanë.

“Ne nuk kemi rritje te pagave, kemi rrezikshmëri të madhe në punë, kemi pasur premtim nga drejtori prej 22 shtatori të ketë shujta të ushqimit por nuk është bërë. Injorimi që ka ndodhur për shkak se ne kemi biseduar vetëm një herë në 3 muaj”, tha Llumnica para gazetarëve.

Protesta e punëtorëve të KEK-ut do të mbështetet edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i quajti legjitime kërkesat e punëtorëve dhe kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që t’i shqyrtojë ato.

“Dihet se gjithmonë sindikata i përdorin mjete e tyre për të arritur qëllimin. Ky qëllim është shumë minimal për ngritje të pagës sepse në Kosovë kemi ngritje marramendëse të çmimeve. BSPK kërkon nga drejtori menaxhues dhe bordi i KEK-ut që të ulen dhe të bisedojnë”.

“Kërkesat janë shumë të ligjshme shumë normale, rritja e pagës, shujta e të tjera të cilat thashë janë shumë të rëndësishëm për anëtaret tonë”, tha Hykolli.

Ndërsa nënkryetari i sindikatës, Selatin Sadiku, tha se kërkesa e tyre po bëhet shkaku i rritjes së çmimeve e pagave të ulëta. Kërkoi që këtë ta bëjnë sa më shpejt, në mënyrë që hapat tjerë të mos jenë radikalë.

“Falë angazhimit maksimal të punëtorëve jemi kompania me profitabile në Kosovë. Kemi mbet 3 200 punëtorë, punohet me tre ndërrime, llogarite të ketë rreth 30 mijë ton qymyr. Kërkesa është simbolike për rritje të pagave, ne jemi dëshmitarë që rryma është shtrenjtuar për tri kategori. ZRRE ka paralajmëruar qe do të ketë ngritje, shtohet pyetja se kush prodhon”, ka thënë Sadiku.

Sindikata e re e KEK-ut dhe BSPK kërkojnë realizmi të menjëhershëm të kërkesave, në të kundërtën do të radikalizojnë masat sindikale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore