Shqipëria

Punësimi i të burgosurve: objekt partneriteti


Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lajmëroi lidhjen e partneritet me shoqatёn, Pro-Eksport Albania, nё funksion tё ‘Programit tё Punёsimit tё tё Dёnuarve’.

Shoqata do të investojë në zhvillimin e një strategjie marketingu dhe komunikimi, për të promovuar punësimin e të burgosurve në sistemin e burgjeve.

Produktet që do të prodhohen nga personat e privuar nga liria, do të tregtohen në tregjet evropiane.

Shoqata Pro-Eksport Albania, gjithashtu dhuroi mbi 750 pantallona xhins për femra dhe meshkuj, mijëra maska anticovid, qindra këpucë, veshje, të brendshme dhe veshje pune të prodhuara nga fasoneritë anëtare të shoqatës.

Pro-Export Albania, është një shoqatë kombëtare jo qeveritare fasonistësh.  Në grupin e saj përfshihen rreth 762 subjekte. Shoqata përfshihet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore, për t’i ndërgjegjësuar këto të fundit për kushtet dhe rreziqet që paraqet puna në këtë sektor.

Pro-Export është duke u angazhuar veçanërisht për kushtet e punës dhe situatën gjatë pandemisë në fasoneritë e vendit.

Kujtojmë se këto të fundit kanë qenë nga pikat me numrin më të lartë të infektimeve. Pro-Export ka bërë thirrje vazhdimisht për rrezikun dhe kushtet në të cilat punonjësit punojnë si dhe numrin e lartë të të pushuarve shkak i pandemisë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, inkurajoi përfshirjen e sektorit privat në aktivitetin e punësimit të të burgosurve, duke promovuar mundësitë e partneritetit dhe investimeve direkte përmes shoqërive të mëdha punëdhënëse.

Në nëntor të vitit 2011 aktivistë të organizatave, që punojnë në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut vizituan ambjentet e burgjeve në Shqipëri. Ata konstatuan një sërë ndryshimesh pozitive të kushteve të tyre, por ngritën gjithashtu dhe nevojën e trajtimit të shumë problemeve serioze.

Ndër kushtet që Shqipërisë i është vendosur për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian (BE), është dhe përmirësimi i standardeve në sistemin e institucioneve penitenciare.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka zhvilluar që prej vitit 1996 misionin e tij të promovimit dhe respektimit të drejtave të njeriut po ashtu dhe në Shqipëri. Në 10 vjeçarin e fundit e ka shtrirë veprimtarinë e tij dhe në institucionet vuajtjeve të dënimit.

Gjatë periudhës korrik 2015- janar 2016, u ndërtua një raport nga KShH mbi stituatёn e tё drejtave tё njeriut tё personave tё privuar nga liria.

Në raport thuhej se e drejta e të paraburgosurve dhe të dënuarve për të punuar, e parashikuar në Nenin 34, të Ligjit Nr.8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” nuk ishte ende e rregulluar specifikisht me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave(VKM).

Sipas raportit, të dënuarit merrnin ulje të dënimit në vend të kompesimit me pagë. Ata pak të burgosur që punonin, shpërbleheshin me 3.9 ditë në muaj dhe 9 mijë lekë shpërblim.

Pavarësisht se ligji parashikonte se “puna duhet të shpërblehet dhe pagesa duhet të jetë në proporcion me punën e kryer”.

Raporti zbuloi se zbatohej një VKM shumë e vjetër, e cila nuk pasqyronte standardet aktuale ligjore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore