Lajme

Puna e ëndrrave të McCarthy-it mund të kthehet në një makth


Kevin McCarthy u zgjua të shtunën në mëngjes me përmbushjen e një ëndrre të gjatë.

Pas një bllokimi katërditor, ai u zgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, duke u bërë anëtari më i fuqishëm i Partisë Republikane.

Por ky rol mund të kthehet në një makth sepse kërkon udhëheqjen e një grupi parlamentar që e refuzon fuqimisht udhëheqjen.

Konservatorët kanë kritikuar rregullisht republikanin e lartë të Senatit Mitch McConnell për pranimin e kompromiseve të çdo lloji me demokratët.

Madje, në fillim të kësaj jave hodhën poshtë thirrjen e ish-presidentit Donald Trump për të votuar për McCarthy-in.

Kaliforniani 57-vjeçar tregoi këmbëngulje në shtyrjen e 15 raundeve të votimit dhe shpërbërjen e asaj që kishte qenë një kuadër prej 20 kundërshtarësh të linjës së ashpër të krahut të djathtë.

Kjo, duke gjetur kompromise që do të tërhiqnin shumicën e tyre në kampin e tij.

Ai u tha gazetarëve të premten mbrëma se do të ishte një udhëheqës më efektiv për shkak të procesit të zgjatur.

“Për shkak se u desh kaq shumë, tani kemi mësuar se si të qeverisim. Kështu që tani do të jemi në gjendje ta kryejmë punën”, tha McCarthy. “Në fund të ditës, ne do të jemi më efektivë, më efikas dhe padyshim që qeveria do të jetë më e përgjegjshme”.

McCarthy ra dakord për lëshime të mëdha për të marrë një rol që është i dyti në vijën e Zyrës Ovale pas zëvendës presidentes Kamala Harris, duke përfshirë një rregull që do të thotë se secili nga 435 anëtarët e Dhomës mund të detyrojë një votim për largimin e tij në çdo kohë.

Performanca më e dobët se sa pritej e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit i la ata me një shumicë të ngushtë 222-212 dhe u jep pushtet të madh një grupi të vogël të ekstremistëve të krahut të djathtë.

Ata kundërshtuan McCarthy, duke e akuzuar atë se ishte i butë dhe shumë i hapur për të bërë kompromis me presidentin Joe Biden dhe demokratët e tij, të cilët gjithashtu kontrollojnë Senatin Amerikan.

Por kompromisi do të jetë i nevojshëm në një qeveri të ndarë dhe koncesionet e McCarthy rrisin rrezikun që të dyja palët të dështojnë në arritjen e një marrëveshjeje kur qeveria federale të përballet me kufirin e saj të borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh më vonë këtë vit.

Dështimi për të arritur marrëveshje, apo edhe një bllokim i gjatë, mund të sjellë një dështim që do të trondiste ekonominë globale.

Marrë dhe përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore