Libra

“Puffin Books duhet të ketë turp” për fjalët e hequra nga librat e Roald Dahl


Kur Salman Rushdie ngre alarmin për çështjet e lirisë së shprehjes, bota do të bënte mirë ta dëgjonte.

Askush nuk e di këtë temë më mirë se ai.

“Roald Dahl nuk ishte engjëll, por kjo është një ankesë absurde. Puffin Books dhe trashëgimtarët e Dahl duhet të kenë turp”, ka shkruar Rushdie në Twitter.

Këtë, duke komentuar lajmin se botuesi Puffin vendosi në marrëveshje me trashëgimtarët e autorit të rishkruante librat e tij, duke hequr referenca për gjininë, racën, peshën, fshirjen e fjalëve si “i shëndoshë” apo “xhuxh” për të mos ofenduar askënd.

Është, ndoshta, rasti i parë i kulturës së anulimit editorial që shkakton alarm të menjëhershëm.

Hera e parë ndodhi disa vite më parë, kur botuesit në botën anglo-saksone filluan të vendosin figurën e lexuesit të ndjeshëm mes shkrimtarëve dhe lexuesve, për të “censuruar” libra ose fraza të konsideruara të papërshtatshme, fyese për dikë dhe duke parandaluar publikimin e tyre.

Më pas erdhi redaktimi i lehtë në librat e Richard Scarry (1919-1994). Nënat që shtynin karrocat janë zhdukur, janë zëvendësuar nga baballarët; nënat në kuzhinë janë zhdukur, janë zëvendësuar nga baballarët.

Askush nuk u ankua. Bota e viteve 1950 e Scarry-t tani është në hap me kohën.

Pastaj ishte radha e Dr Seuss (1904-1991). Dy vjet më parë, ndoshta sepse bota kishte problemin kolektiv të pandemisë, nuk pati ankesa të mëdha kur vetë fondacioni, i cili kontrollon të drejtat e librit, hoqi nga qarkullimi gjashtë libra.

Megjithatë, tani i takon librave të Roald Dahl, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të XX, vepra e të cilit kapërcen zhanrin – letërsinë për fëmijë – në të cilën zakonisht përfshihet.

Tekstet e Dahl u ndryshuan nga botuesi anglez, në marrëveshje me trashëgimtarët e shkrimtarit.

Te “Fabrika e çokollatës”, një kryevepër e vitit 1964 që frymëzoi dy filma jashtëzakonisht të suksesshëm, fjala “i shëndoshë” është hequr sistematikisht.

Faqja e të drejtave të autorit të botimeve të reja të librave të Dahl-it të botuar nga Puffin shpjegon se:

“Ky libër është shkruar shumë vite më parë, kështu që ne e rishikojmë rregullisht gjuhën për t’u siguruar që mund të vazhdojë të shijohet nga të gjithë sot”.

Sakaq, një zëdhënës i Roald Dahl Story Company ka thënë se: “Ne duam të sigurohemi që historitë dhe personazhet e mrekullueshme të Roald Dahl të vazhdojnë të shijohen nga të gjithë fëmijët e sotëm”.

Sipas tij, kur botohen libra të shkruar vite më parë, nuk është e pazakontë të rishikohet gjuha e përdorur së bashku me përditësimin e detajeve të tjera, duke përfshirë kopertinën dhe paraqitjen.

“Parimi ynë udhëzues ka qenë ruajtja e komploteve, personazheve dhe zgjuarsia e mprehtë e tekstit origjinal. Çdo ndryshim që bëmë ishte i vogël dhe i konsideruar me kujdes”, ka shtuar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore