Shqipëria

Publikohen detajet e protestës së PD-së, rreth 1200 forca policore në terren


Partia Demokratike në Shqipëri, më 7 korrik, do të organizojë protestën e saj, me anë të së cilës kërkon dorëheqjen dhe largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama dhe qeveritarëve të kabinetit të tij.

Siç është bërë e ditur më parë, protesta do të fillojë në orën 19:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 21:00.

Vendi i protestës së thirrur nga lideri i PD-së, Sali Berisha, do të jetë para godinës së Kryeministrisë.

Për mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë e qytetarëve, do të jenë të angazhuar në terren rreth 1 mijë e 200 efektivë policie, nga forcat e rendit, FNSH-ja, reparti Shqiponja dhe punonjës të Gardës.

Shpërndarja e uniformave blu do të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme që janë organizuar më parë nga opozita.

Përballë protestuesve, me një kordon të vendosur përgjatë perimetrit të Kryeministrisë, do të vendosen punonjësit e rendit dhe ata Shqiponja, ndërsa forcat e FNSH-së do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme.

Sakaq, para Kryeministrisë do të vendosen kamera sigurie me rezolucion të lartë, në vende të ndryshme.

Kjo, për të pasur një panoramë sa më të gjerë të aktivitetit të protestuesve dhe nën mbikëqyrje situatën, në mënyrë që të mos agravojë.

Kufizime për qarkullimin rrugor nesër, nga ora 16:00, do të ketë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht “Zhan Dark”.

Protesta e 7 korrikut, “gjigante”

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat theksoi se protesta e 7 korrikut, do të jetë masive.

“Kam një numër. Do të jetë gjigante, masive. Por nuk merrni dot kurrë nga unë parashikime në përqindje dhe numër. Skenarët e protestës janë të qarta. Është betejë për lirinë dhe kundër padrejtësive të mëdha”, u shpreh ai.

Gjithashtu, paralajmëroi që policia të mos bëjë presion dhe mos t’i provokojë protestuesit.

“Një thirrje për çdo shqiptar të bashkohet nesër në protestën e 7 korrikut, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës dhe qeveritarëve të qeverisë së tij nga pushteti. Situata është jashtëzakonisht e ndezur. Pakënaqësi dhe urrejtja për këtë qeveri ka rrokur qiellin. Pandjeshmëria e saj është gjithashtu po kaq e madhe”, përmbylli Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore