Shqipëria

Publikimi i pagave të qytetarëve, Prokuroria mbyll hetimet


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka mbyllur hetimet për publikimin në rrjetet sociale të listës së pagave të muajit janar të vitit 2021 të punonjësve në institucionet shtetërore dhe private.

Këto të dhëna janë shpërndarë fillimisht nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” dhe, më pas, janë publikuar në media.

Të dhënat janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo shtetas.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim në ngarkim të të pandehurve: Eni Qirjako, e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, Andi Agaraj, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë  funksione publike”.

Klodian Sota akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë  funksione publike” dhe “Korrupsion pasiv në sektorin privat”.

Të njëjtat akuza rendojnë edhe mbi Endri Ikonomi.

Ndërtimi i ngjarjes

Gjatë muajit dhjetor, një rrjedhje masive e të dhënave personale dhe të pagave të mbi 900 mijë tatimpaguesve në Shqipëri qarkulloi në median sociale. Konkretisht muaji janar dhe prill 2021.

Më 22 dhjetor u publikuan pagat e të gjithë punonjësve të sektorit publik dhe privat të muajit janar 2021.

Një ditë më pas, më 23 dhjetor, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, u publikua lista e pagave të muajit prill 2021, për të njëjtën kategori.

Ndërsa i pari qarkulloi në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer, te publikimi i dytë u vërejt fakti se ishin edhe numrat e telefonave të qytetarëve.

Ata ishin të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

Përveç tyre, rrjedhja vijoi edhe me targat e çdo shtetasi shqiptar, marka e automjetit, modeli i tyre dhe ngjyra. Numri i të dhënave të publikuara shkoi në mbi 530 mijë.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet më 22 dhjetor. Asokohe, edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale reagoi në lidhje me këtë rrjedhje masive.

“Çdo veprim që mund të duket si një ‘lojë’, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve”, shkruhej në reagimin e Komisionerit.

Hetimet e Porkurorisë së Tiranës

Më 23 dhjetor, Prokuroria e Tiranës do të sekuestronte serverin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Infromacionit (AKSHI).

Një muaj më pas, konkretisht më 7 janar të këtij viti kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj – tashmë e shkarkuar për shkak të procesit të Vetting-ut – do të bënte me dije se ishin arrestuar katër persoan si të dyshuar përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve.

Bëhej fjalë për specialisten e AKSHI-t, Eni Qirjako, e cila kishte qasje në këto të dhëna. Kjo e fundit ia kishte dërguar mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.

Ndaj Qirjakos dhe Agarajt u ngritën akuza për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Dy të arrestuarit e tjerë ishin punonjës të subjekteve private, në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Këta dy të fundit i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.

I menjëhershëm ishte reagimi nga Dhoma e Përmbarimit, ku ata bënë me dije se, në fakt, Sota dhe Ikonomi ishin “mashtrues”.

Dhoma e Përmbarimit zbuloi edhe se Ikonomi kishte krijuar kompaninë “PRO 3VT” sh.p.k. Kjo e fundit, sipas deklaratës, shërbente si institucion financiar mikrokredie.

Ndërsa, Sota kishte krijuar kompaninë “SMART COLLECTION” sh.p.k., e cila merrej me “mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të tretë…”.

Ndër të tjera, Dhoma e Përmbarimit deklaroi se të dyja kompanitë, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë.

Mirëpo Gjykata e Tiranës, më 10 janar, caktoi masën “arrest në shtëpi” për Andi Agarajn, Klodian Sotën dhe Endri Ikonomin.

Për Qirakjon u caktua masa “detyrim paraqitjeje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore