Shqipëria

Publikimi i pagave – Krijohet Njësia Antiinformalitet për kontrollet mbi pasurinë


Bërja publike e pagave të rreth 630 mijë shqiptarëve ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare të nisin kontrollet mbi pasurinë e disa qytetarëve me të ardhura të larta bazuar mbi bazën e stilit të jetesës.

Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, tha se Njësia Antiinformalitet, në fazën e saj të parë, po heton 32 nga 100 të punësuar për mosdeklarimin e pagave reale.

“Nga publikimi i pagave disa muaj më parë lindën dyshime lidhur me nivelin e pagave që deklaroheshin, ndërkohë që nga informacionet, vlerësimi i risqeve dhe e gjithë gama e të dhënave që përmban administrata tatimore, por edhe institucione të tjera me të cilat bashkëpunojmë, u vu re se këto paga nuk përfaqësonin pagën reale të të punësuarve”.

Njësia, vijoi Vjero, ka nisur punën në sektorin e ndërtimit, tregtisë dhe tregun e sigurimeve .

“U përzgjodhën një grup sektorësh që përbënin risk dhe rreth 100 tatimpagues kryesisht të mëdhenj, me më shumë se 30 të punësuar, ku një pjesë e tyre i kanë punonjësit të deklaruar me pagë minimale”.

Zëvendësministrja shtoi se Njësia Antiinformalitet, e cila do të jetë e përkohshme, ka bashkëpunuar me institucione tjera dhe ka si qëllim hetimin nëse individët e targetuar e justifikojnë apo jo pasurinë e tyre.

“Kemi gjetur informacione zyrtare nga struktura të tjera lidhur me pronësinë dhe të ardhurat nga aktivitete private dhe bëhet një bilanc i asaj se çfarë individi ka marrë në vite dhe kjo krahasohet me të gjitha burimet e të ardhurave që individi ka disponuar. Kjo, për të parë nëse ky burim i të ardhurave nga të gjitha format e përligjin ose jo këtë pasuri që individët kanë”.

Vjero pranon se kontrolli i pasurisë së individëve mbi bazën e stilit të jetesës është proces i ndërlikuar dhe do të marr kohë, “por rezultatet do të jenë pozitive dhe do të ndikojnë në korrektimin e sjelljes së individëve dhe punëdhënësve”.

Zëvendësministrja u ndal edhe në nismën e ndërmarrë nga Qeveria për ndryshime ligjore për të ulur informalitetin në tregun e punës, një prej të cilave është ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili do të ketë në fokus rregullimin e profesioneve të lira.

Ajo theksoi se ligji u jep të drejtën të gjithë atyre që ushtrojnë një profesion të lirë të regjistrohen si person fizik dhe kjo nuk përbën evazion fiskal.

Vjero përmbylli duke thënë se një tjetër ndrysim që propozohet është që Inspektoriati i Punës të mos japë më masë paralajmëruese por të kalojë direkt në vendosjen e penalitetit. Kjo, pasi ka rezultuar se ka biznese që janë përsëritës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore