Sport

PSG njofton shkarkimin e Tuchel


Pas gati pesë ditësh spekullime në media, PSG ka njoftuar zyrtarisht, shkarkimin e trajnerit të tyre, gjermanit 47-vjeçar, Thomas Tuchel, të cilin pritet që ta zvendësojë argjentinasi, Mauricio Pochettino, ish-trajneri i Tottenham.

Tuchel mbërriti te parizienët, në verën e 2018, pas gati një viti, që prej largimit nga drejtimi i Borussia Dortmund-it. PSG-n Tuchel e udhëhoqi në 127 ndeshje, në të gjitha garat, ku arriti 95 fitore, 12 barazime dhe 20 humbje. Plot 342 gola të shënuar nga parizienët nën udhëheqjen e Tuchel dhe 109 të pësuar.

Gjashtë trofe fitoi Tuchel në dy sezone me PSG-në, dy Ligue 1, dy Super Kupa të Francës, një Kupë të Francës dhe një Kupë të Ligës, pa harruar dhe arritjen në finalen e Ligës së Kampionëve në 2020, e humbur përballë Bayern Munich-ut, finale historike për klubin, pasi ishte e para në historinë e PSG-s.

Në komunikatën e klubit shkruhet:

“Pas një analize të plotë të situatës sportive, Paris Saint-Germain vendosi të zgjidhë kontratën e Thomas Tuchel”.

“Unë do të doja të falënderoja Thomas Tuchel dhe stafin e tij për gjithçka që sollën në klub, Thomas ka hedhur shumë energji dhe pasion në punën e tij, dhe sigurisht që do të kujtojmë kohërat e mira që kemi ndarë së bashku. I uroj më të mirën për të ardhmen e tij”- tha Nasser Al-Khelaifi, Presidenti i Paris Saint-Germain./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore