Sport

PSG në kërkim të zëvendësuesit të Mbappe-s


Kylian Mbappe ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me klubin e Paris Saint Germain dhe tashmë siç dihet ai nuk e ka ndërmend ta rinovojë atë, pasi që kishte refuzuar shumë oferta në drejtim të tij.

Edhe pse PSG-ja vazhdon të këmbëngulë për ta bindur që të rinovojë kontratën, vendimi i lojtarit duket i prerë dhe gjithçka tregon se ai nuk do të luajë vitin e ardhshëm në kryeqytetin francez.

Qëndrimi i lojtarit më të përfolur aktualisht në botën e futbollit, ka bërë që drejtuesit e klubit të PSG-së, të kërkojnë një futbollist që do ta zëvendësonte në mënyrën më të mirë Mbappe-n.

Sipas mediave franceze, një nga lojtarët më të dëshiruar është talenti gjerman i cili aktivizohet për klubin  Red Bull Salzburg, Karim Adeyemi.

Mirëpo, klubi parisien duhet të mposhtë konkurrencën e shumë klubeve të mëdha evropiane, për të transferuar sulmuesin 19-vjeçar në “Parc des Princes”.

Adeyemi ka shkëlqyer këtë sezon me skuadrën austriake, ku në 18 takime të zhvilluara, ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar dy asistime në të gjitha garat.

Megjithatë, prioriteti i PSG-së është që të zgjasë bashkëpunimin me Mbappe-n, por në rast se kjo nuk arrihet, atëherë opsioni B do të jetë talenti i Salzburg-ut, i cili me shpejtësi, teknikë, driblime dhe shumë gola, ka karakteristikat e Mbappe-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore