Lajme

Pse Vetëvendosje s’e publikoi numrin e votave, por vetëm përqindjet për fituesit në zgjedhjet e brendshme?


Foto nga Albanian Post

Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka 2000 anëtarë të regjistruar, por në zgjedhjet partiake të së dielës në kutit e votimit gjendeshin vetëm 300 fletushka, ose diçka më shumë.

Në përllogaritje i bie që vetëm 15 për qind e anëtarësisë kanë marrë pjesë në proces zgjedhor, duke e de-legjitimuar zgjedhjen e strukturave dhe duke shfaqur bojkot të anëtarësisë.

Të dhënat për anëtarësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor Albanian Post, i ka marrë nga Fitim Sopjani, që para se të largohej nga Vetëvendosje për shkak të pakënaqësive, kishte pozitën e kryetarit të pikës në pikën më të madhe të komunës në fshatin Sllovi dhe ishte gjithashtu anëtar i grupit punues në qendrën në Lipjan.

Sipas Sopjanit, “rezultati në fund tregon që jo të gjithë votuesit ishin pro kandidatit garues”. Pakënaqësitë vijnë nga eliminimi që iu bë kandidatëve për kryetarë, siç ishte rasti me Shkëlzen Bislimin.

Albanian Post ka provuar të marrë përgjigje nga qendra në Lipjan për numrin e votave, por kryetari Adnan Rrustemi, ka refuzuar të flas për këtë çështje.

Rrustemi zyrtarisht ka fituar, por a është fitore nëse 85 për qind e anëtarësisë nuk ka votuar fare dhe a përbën Lipjani një rast të veçuar në gjithë procesin?

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka publikuar rezultate veç e veç për qendra, pos atyre në nivelin qendror.

Albin Kurti është zgjedhur kryetar i Vetëvendosje me afër 100 për qind të votave të anëtarësisë. Albulena Haxhiu kryetare e Grave të Vetëvendosjes, edhe ajo me mbi 90 për qind dhe shifra përafërsisht të njëjta ka marr edhe kryetar i të rinjve të Vetëvendosjes, Behar Jashari.

Por, siç shihet, të gjitha të dhënat janë në përqindje dhe jo me numër të votave.

Albanian Post ka kontaktuar me zyrën për media të VV-së në Prishtinë, për të pyetur rreth numrit të anëtarësisë dhe përqindjes së daljes në zgjedhje.

Nga kjo zyrë, zëdhënësi Arlind Manxhuka, ka thënë që nuk është problem të ofrohen këto të dhëna.

“Po, vetëm nëse mund të na përcjellni pyetjet me e-mail dhe ju përgjigjemi”, tha Manxhuka për AP, por as pas afër 10 orësh, asnjë përgjigje me këto shifra nuk ka ardhur, derisa Manxhuka më nuk e hapi telefonin.

Adnan Rrustemi, kryetar i LVV-se ne Lipjan

Sopjani, që ka informacione se një numër fare i vogël dolën në votime, thotë se arsye është “moslejimi dhe pamundësia për t’iu ofruar dy kandidatëve mundësinë për t’u zgjedhur”.

Se do të ketë numër të vogël në zgjedhje, ai thotë se e kishin ditur qysh kur filloi procesi i eliminimit, sepse kjo bëri që “shumë prej anëtarëve të largoheshin, duke u nisur që nga asamblistët më të votuar të LVV-së në Lipjan si Fitim Mziu dhe Fadil Spahiu”.

“Pasojat e largimit kanë filluar të shfaqen që prej momentit që jemi larguar, gjë që e dëshmohet dhe në ditën e votimit”, deklaroi ai.

Veç Lipjanit, pakënaqësi dhe largime kishte edhe në qendra të tjera në qytete shumë më të mëdha. Ndër kryesoret, në qendrën në Mitrovicë dhe atë në Lipjan.

Ankuesit thonë që u bë inxhinering, duke mos lënë të votohen kandidatët popullor në qytete, por duke përzgjedhur garuesit nga Prishtina.

Duke e mbajtur procesin krejtësisht të mbyllur dhe me vetëm nga një kandidat, me fletën e votimit që tregon veç një emër dhe nën të opsionet “për, kundër dhe abstenim”, është e pamundur të kuptohet se çfarë numri të votash morën fituesit.

Është e pamundur të kuptohet edhe përqindja e daljes në zgjedhje në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve, meqë Vetëvendosje nuk e ka bërë të ditur as cili është numri i anëtarësisë brenda partisë.

Përkundër të gjithave, në Vetëvendosje procesin e kanë quajtur shumë demokratik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore