Gatimi

Pse ushqimet e fermentuara janë të mira kundër inflamacionit?


Kos

Për mijëra vjet, kultura të ndryshme janë mbështetur në fermentim për të prodhuar bukë dhe djathë, për të ruajtur mishin dhe perimet dhe për të përmirësuar shijen e shumë ushqimeve.

Tani shkencëtarët kanë konfirmuar se ushqimet e fermentuara mund të kenë efekte të rëndësishme në zorrët tona.

Konsumimi i këtij ushqimi mund të ndryshojë përbërjen e miliona baktereve, viruseve dhe kërpudhave që banojnë në zorrë dhe në këtë mënyrë mund të ndikojë në parandalimin e proceseve inflamatore.

Gjetjet e fundit vijnë nga një hulumtim i kryer nga studiues në Universitetin Stanford.

Ata donin të shihnin se çfarë efekti mund të ketë ushqimi i fermentuar në zorrët dhe sistemin imunitar dhe si mund të krahasohet me konsumimin e një diete relativisht të shëndetshme plot me fruta, perime, fasule, drithëra dhe ushqime të tjera të pasura me fibra.

Për këtë hulumtim, studiuesit rekrutuan 36 të rritur të shëndetshëm dhe i ndanë rastësisht në grupe.

Njërit grup iu dha detyra të rriste konsumin e ushqimeve bimore të pasura me fibra, ndërsa grupi tjetër u udhëzua të hante shumë ushqime të fermentuara, duke përfshirë produktet e qumështit, jogurtin si dhe lakër turshi.

Pjesëmarrësit ndoqën dietën për 10 javë, ndërsa studiuesit monitoruan shënuesit e inflamacionit në gjakun e tyre dhe kërkuan ndryshime në mikrobiomet e zorrëve.

 

Në fund të studimit, grupi i parë kishte dyfishuar marrjen e fibrave, nga rreth 22 gramë në ditë në 45 gramë në ditë, që është afërsisht tre herë më e madhe se marrja mesatare në Shtetet e Bashkuara. Grupi i dytë kishte rreth gjashtë porcione ushqime të fermentuara në ditë.

Pas një periudhe prej 10 javësh, asnjë grup nuk kishte ndryshime të rëndësishme në masat e përgjithshme të shëndetit imunitar.

Por grupi që konsumoi më shumë ushqime të fermentuara tregoi një reduktim të ndjeshëm të përbërjeve që shkaktojnë inflamacion.

Hulumtimet e reja kanë zbuluar se sa më shumë njerëzit hanë ushqime të fermentuara, aq më shumë specie mikrobike lulëzojnë në sistemin tretës.

Shkencëtarët besojnë se pesë përqind e mikrobeve të reja të zbuluara në zorrët vijnë drejtpërdrejt nga ushqimi i fermentuar që kanë ngrënë.

“Shumica dërrmuese erdhi nga diku tjetër dhe ne nuk e dimë se nga erdhi”, ka thënë Justin Sonnenburg, autor i studimit dhe profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Stanford.

“Unë mendoj se është e mundur që ushqimi i fermentuar ka bërë diçka që ka lejuar mikrobet e tjera të rekrutohen shpejt në mjedisin e zorrëve”, shtoi ai.

Një nivel më i lartë i diversitetit mikrobik në zorrë konsiderohet një gjë e mirë. Studimet e kanë lidhur këtë me nivele më të ulëta të obezitetit, diabetit të tipit 2, sëmundjeve metabolike dhe çrregullimeve të tjera.

Disa shkencëtarë spekulojnë se faktorët e stilit të jetesës moderne, si dieta e pasur me ushqime të përpunuara, stresi kronik dhe pasiviteti fizik, mund të shtypin rritjen e mikrobeve potencialisht të dobishme të zorrëve. Të tjerë besojnë se lidhja midis mikrobiomave të ndryshme dhe shëndetit të mirë është e tepërt e theksuar.

Kur bëhet fjalë për fibrat në dietë, grupi, dieta e të cilit ishte e pasur me fibra, kishte sasi të papritura të mëdha të karbohidrateve në jashtëqitje që nuk shpërbëheshin nga mikrobet në zorrë.

“Ndoshta mikrobiomet e tyre nuk janë të përgatitura për këtë”, tha Gardner, drejtor i studimeve të ushqyerjes në Qendrën Kërkimore për Parandalimin në Stanford.

Një pyetje që studiuesit shpresojnë t’i përgjigjen në të ardhmen është se çfarë do të ndodhte nëse njerëzit do të hanin më shumë ushqime të fermentuara si dhe më shumë fibra në të njëjtën kohë.

A do të rriste kjo shumëllojshmërinë e mikrobeve në zorrët e tyre dhe do të përmirësonte aftësinë e tyre për të tretur më shumë fibra? A do të kenë të dyja një efekt sinergjik në parandalimin e inflamacionit?

Susan Ducota, drejtoreshë e kërkimit të mikrobiomit në Qendrën Mjekësore Cedars Sinai në Los Anxhelos, e cila nuk ishte e përfshirë në studimin e ri, tha se ishte supozuar prej kohësh se konsumimi i ushqimeve të fermentuara kishte përfitime shëndetësore.

Ducota paralajmëroi se zbulimet nuk duhet të pengojnë askënd nga konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra, sepse fibrat kanë shumë më shumë përfitime shëndetësore përveçse ndikimit të tyre në zorrë.

Ajo shpjegoi se një nga arsyet që ushqimi i fermentuar mund të jetë i dobishëm është se mikroorganizmat që ato përmbajnë prodhojnë vazhdimisht shumë lëndë ushqyese gjatë procesit të fermentimit.

Ajo shtoi se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar më mirë lidhjet midis ushqimeve të fermentuara dhe shëndetit të përgjithshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore