Jetesë & Stil

Pse po fyejnë fjalët?


“Më fyeve”, “më ofendove”, “më cenove”. Tone çjerrëse zëri, gjuhë trupi e revoltuar dhe nganjëherë edhe lot që derdhen.

Kjo është një nga skenat më të hasura përgjatë bisedave të përditshme me të afërmit, miqtë apo partnerët nën mjeshtërinë regjisoriale të pandemisë.

Fjalët kanë nisur të luajnë një rol, të cilin nuk e kanë pasur më parë, rolin e personazhit negativ që fyen dhe ofendon pa u kursyer.

Pse po fyejnë fjalët?

Një eksperte komunikimi e sheh fenomenin si produkt të pandemisë. Irena Myzeqari, e pyetur nga Albanian Post, mendon se thyerja e konceptit të normalitetit gjatë pandemisë është përgjegjëse për të gjitha problematikat edhe në marrëdhëniet ndërpersonale.

Ajo e lidh shpjegimin e saj me simbolikën e maskës. “Maska në kulturën tonë është veshur gjithmonë me konotacion negativ, ndërsa tani, ngjyrimi emocional ka ndryshuar tërësisht duke e parë atë si mjet në mbrojtje të shëndetit”, thotë Myzeqari.

Mirëpo, efektet që kanë pasuar në komunikimin prej domosdoshmërisë së maskës janë tejet të dukshme. Sipas saj, fakti që maska përbën pengesë për gjuhën e trupit, për t’u dëgjuar dhe për t’u kuptuar në bisedat e përditshme, ka shtuar ndjeshëm dozat e ankthit, stresit dhe pa dyshim keqkuptimit.

“Kjo na ka bërë më vulnerabël ndaj fjalëve, etiketimeve apo sjelljeve që më herët mund t’i kemi marrë më lehtë”, thotë Myzeqari.

Mirëpo, çfarë fshihet pas ndjesisë së ofendimit?

Një psikolog e sheh çështjen e të ndjerit i ofenduar të lidhur ngushtë me besimet dhe vlerat që mbrojmë. Almir Xhangolli, i pyetur nga Albanian Post, mendon se “gjykimet tona ndikohen nga vlerat dhe besimet dhe bëhen njësia matëse nëpërmjet të cilës vlerësojmë të tjerët, përfshirë këtu edhe ata që nuk i njohim shumë”.

Sipas tij, besimi në këto vlera mund të jetë një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë duke na dhënë ndjesinë e ofendimit, sepse besojmë se ato vlera janë të mira dhe duhen respektuar.

Xhangolli shpjegon se, fakti pse mund të ndihemi të ofenduar për një mori të madhe arsyesh, është për arsye se besimet dhe vlerat që mbrojmë bazohen te përvojat e mëparshme të grumbulluara gjatë jetës.

Prandaj dhe ndjesia e ofendimit në bisedat e përditshme mund të shkaktohet edhe jashtë marrëdhënieve të ngushta. “Ne mund të ofendohemi edhe nga një koment në Facebook apo Instagram, i cili mund të jetë tallës ose vë në dyshim diçka me rëndësi për ne”, shton Xhangolli.

Zgjidhja që i jep ai fenomenit është përpjekja jonë e përditshme për të vënë veten në vendin e tjetrit dhe për të menduar nëse ajo që do të themi mund të cenojë tjetrin përballë nesh.

Nga ana tjetër, zgjidhja që jep Myzeqari është ripërcaktimi i një koncepti të ri për atë çka mendojmë se është normale, duke u treguar më fleksibël dhe më të pranueshëm ndaj tjetrit, pasi është detyra jonë si “agjentë socialë që prodhojmë realitetet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore