Lajme

Pse mbetet pezull marrëveshja e avionëve luftarakë F-35 e Emirateve të Bashkuara Arabe?


Në dyvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Abrahamit, një nga marrëveshjet kyçe të normalizimit të Izraelit me botën arabe ende nuk është realizuar.

Ka të bëjë me shitjen e avionëve luftarakë të avancuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në thelb, marrëveshja ka ngecur që nga dhjetori për shkak të shqetësimeve mbi avantazhin cilësor ushtarak të Izraelit dhe lidhjet e shtetit të Gjirit me Kinën.

Në muajt e fundit të administratës së Donald Trump, SHBA-të dhe Emiratet e Bashkuara Arabe negociuan një marrëveshje që përfshin deri në 50 avionë luftarakë F-35, 18 dronë MQ-9 dhe gati 10 miliardë dollarë në municione të avancuara të prodhuara nga Lockheed Martin, General Atomics dhe Raytheon.

Marrëveshja historike do t’i kishte bërë Emiratet e Bashkuara Arabe shtetin e parë arab që do të prokuronte të dy F-35 dhe MQ-9.

Kjo do të vinte menjëherë në pikëpyetje nëse avantazhi ushtarak cilësor i mandatuar ligjërisht i Izraelit në rajon do të ruhej.

Izraeli ka në arsenalin e tij 50 F-35 Lightning II të prodhuara nga Lockheed Martin. Shitja e F-35 ka qenë e lakmuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe prej vitesh.

Por shitja epropozuar provokoi mesazhe të paqëndrueshme nga zyrtarët izraelitë.

Fillimisht kryeministri i atëhershëm Benjamin Netanyahu mohoi se ekzistonte një lidhje e drejtpërdrejtë midis shitjeve të armëve dhe normalizimit mes dy vendeve.

Kurse një muaj pas normalizimit, Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Benny Gantz thanë se nuk do ta kundërshtonin shitjen pasi SHBA-të do të siguronin që ajo të ruante avantazhin ushtarak cilësor të Izraelit.

Gantz më vonë do të pretendonte se ai, së bashku me zyrtarë të tjerë të sigurisë izraelite, mbaheshin në errësirë për detajet në lidhje me negociatat.

Në fillim administrata Trump tregoi publikisht se do të ecë përpara me shitjen në nëntor 2020, dy muaj përpara se një marrëveshje të nënshkruhej zyrtarisht në ditën e fundit të Trump-it në detyrë.

Por kur Joe Biden mori detyrën, administrata e tij vendosi të rishikojë zyrtarisht marrëveshjen ndërsa e mbante atë deri në prill 2021.

Zyrtarët amerikanë, rreth kësaj kohe, filluan të transmetonin shqetësimet e tyre përmes rrjedhjeve mediatike në lidhje me marrëdhëniet në rritje të Emirateve të Bashkuara Arabe me Kinën.

Ndoshta më e ngutshme për amerikanët ishte përdorimi i teknologjisë Huawei 5G në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilën Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord në vitin 2019.

SHBA-të shqetësohen se krijimi i rrjetit të telefonisë celulare, i cili përfshin qindra kulla celulare, pranë bazave F-35 mund të ndihmojë Kinën në mënyrë diskrete të gjurmojë dhe mbledhë informacione në lidhje me avionët.

Gjatë pandemisë lidhjet midis Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe vetëm sa u ngushtuan.

Të dy vendet ranë dakord për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e vaksinave Sinopharm, teksa Emiratet e Bashkuara Arabe do të përdornin aplikacionet kineze për të administruar dhe gjurmuar vaksinimet.

Sakaq, administrata Biden kërkoi një garanci që Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të transferonin asnjë material në lidhje me teknologjinë ushtarake të SHBA-ve në Kinë.

Teksa Emiratet e Bashkuara Arabe u përgjigjën se kishte një rekord të provuar për mbrojtjen e teknologjisë ushtarake të SHBA-ve, negociatat u zgjatën pas datës së synuar të prillit deri në verën e vitit 2021.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe filluan privatisht të rriteshin të zhgënjyera që diktatet e SHBA-ve mbi përdorimin e armëve filluan të devijojnë çfarë mund të konsiderohet shkelje e sovranitetit.

SHBA-të, nëntorin e kaluar, thanë se synonin të ecnin përpara me marrëveshjen.

Por Emiratet e Bashkuara Arabe duhej të demonstronin një kuptim të detyrimeve të nevojshme përpara, gjatë dhe pas dorëzimit.

Një muaj më vonë, informuan amerikanët se po pezullonin bisedimet, duke përmendur “kërkesat teknike, kufizimet sovrane operacionale dhe analizën e kostos/përfitimit”.

Menjëherë pas ngrirjes së bisedimeve, nënshkruan një marrëveshje 19 miliardë dollarësh me Francën për të blerë 80 avionë luftarakë Rafale, pas vendeve si rivali i saj Katari, si dhe Greqia, Egjipti dhe Kroacia.

Megjithatë, marrëveshja nuk u pa si një zëvendësim për F-35, por si një mbrojtje dhe sinjal pasigurie në lidhje me qasjen e Biden-it në Lindjen e Mesme.

Nëse marrëveshja ecën përpara, SHBA-të ka të ngjarë të kërkojnë të dhëna për prokurimet e ardhshme ushtarake të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Dhe ngjashëm si me shqetësimet e SHBA-ve për lidhjet Emiratet e Bashkuara Arabe-Kinë, ajo gjithashtu ka të ngjarë të jetë shumë e shqetësuar me blerjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe të sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore Pantsir-S1.

Por Biden-i e ka rikalibruar dukshëm marrëdhënien e tij me Gjirin gjatë disa muajve të fundit, duke arritur kulmin me vizitën e tij në samitin e GCC+3 në Jeddah, Arabi Saudite, në korrik.

Ai theksoi lidhjet dypalëshe, të cilën zyrtarët amerikanë e konsideruan vendimtare përballë një krize globale energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.

Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë, u angazhuan që SHBA-të të jenë partneri kryesor i sigurisë.

Pas vizitës së tij, Departamenti i Shtetit miratoi dhe njoftoi Kongresin për shitjen e mundshme prej 2.2 miliardë dollarësh të raketave të sistemit THAAD, kontrollit të zjarrit THAAD dhe stacioneve të komunikimit dhe pajisjeve të lidhura me to.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore