Lajme

Pse mbeten të tensionuara lidhjet e Koresë së Jugut dhe Japonisë?


Mbi Japoninë dhe Korenë e Jugut presioni po rritet për të zgjidhur grindjet historike mes tyre.

Në Seoul, Gjykata e Lartë ka vendosur të shqyrtojë një çështje që mund të shiste asetet e disa firmave japoneze për të kompensuar punëtorët koreanë të kohës së luftës.

Ky është një nga dhjetëra raste që koreano-jugorët kanë paraqitur kundër Japonisë, e cila kolonizoi gadishullin Korean nga viti 1910 deri në vitin 1945.

Prej tij janë kërkuar dëmshpërblime për punën e detyruar dhe skllavërinë seksuale në shtëpitë publike ushtarake japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut, në një seri vendimesh historike në vitin 2018, ka urdhëruar Mitsubishi Heavy Industries dhe Nippon Steel të Japonisë që të kompensojnë rreth 14 ish-punëtorë për trajtimin e tyre brutal dhe punën e papaguar.

Tani, shumë prej tyre janë në të 90-at kurse të tjerë kanë ndërruar jetë që nga vendimi pa parë asnjë kompensim.

“Nuk vdes pa e marrë një falje nga Japonia”, ka thënë një nga ish-punonjëset, Yang Geum-deok, në një letër të fundit drejtuar qeverisë së Koresë së Jugut.

93-vjeçarja, e cila u dërgua për të punuar në një fabrikë avionësh Mitsubishi në vitin 1944, kur ishte 14 vjeçe, ka treguar se kompania japoneze “duhet të kërkojë falje dhe të dorëzojë paratë”.

Por si Mitsubishi Heavy ashtu edhe Nippon Steel kanë refuzuar të respektojnë vendimet, me qeverinë japoneze që këmbëngul se çështja është zgjidhur në marrëveshjet e kaluara dypalëshe.

Tanimë, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut është vendosur për të diskutuar mbi një vendim të gjykatës më të ulët që urdhëroi likuidimin e disa prej aseteve të Mitusbishi Heavy Industries.

Ndërkohë ekspertët po i kërkojnë Seoul-it dhe Tokyo-s të arrijnë një zgjidhje përpara se të shpallet një vendim.

Sipas tyre, mosmarrëveshjet mund të kërcënojnë bashkëpunimin e sigurisë midis dy fqinjëve në një kohë kur Koreja e Veriut ka paralajmëruar për sulme parandaluese bërthamore dhe ka nisur një numër të paprecedentë të testeve të raketave dhe armëve.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore