Lajme

Pse Kryeministri Albin Kurti nuk flet për shtëpinë e re?


Mëngjesi në lagjen Tasligje të kryeytetit, të enjten ishte kryesisht i qetë.

Veturave të banorëve të lagjes të parkuara në skaj të një rruge të ngushtë e pa fund, këtyre ditëve i është shtuar edhe një veturë e re.

Ajo rri e parkuar gati përballë vendbanimit të ri të Kryeministrit poashtu të ri të Kosovës, Albin Kurti.

Lëvizja e dy oficerëve të policisë të ngarkuar me detyrë për të ruajtur kryeministrin dhe familjen e tij, ishin lëvizjet e vetme në këtë lagje, rreth orës 7:15 të mëngjesit.

Këtë harmoni mëngjesi e prishi zhurma e tri veturave të cilat po kërkonin vend për t’u parkuar sipas protokollit, para shtëpisë së re të kryeministrit Kurti.

Zyrtarët e policisë dhe mbrojtja e afërt përgatitën çdo gjë para se kryeministri të dilte.

I rregulluan karrigen, rishikuan bagazhin dhe po prisnin që kryeministri Kurti të zbriste shkallëve të shtëpsë, për të shkuar në punë.

Shkallëve lart e poshtë zyrtarët policorë pritën për rreth 25 minuta, që Kurti bashkë me gruan dhe vajzën të dilnin nga shtëpia.

Në ora 8:15 Albin Kurti ishte tek vetura.

Përveç përshëndetjes me një “Mirëmëngjesi” ai nuk e hapi më gojën. Nuk tha as gjë, as kur u pyet pse ka ndërruar vendbanim.

Nuk foli dhe nuk komentoi asgjë edhe kur u pyet për ndeshejn e kombëtarës së Kosovës me atë të Spanjës, të zhvlluar një natë më parë.

Me shumë kujdes e ndihmoi vajzën të hipte e para në veturë, e më pas hyri edhe vetë.

Shpejt u mbyllën edhe dyert e veturës dhe po kaq shpejt eskorta bashkë me kryeministrin dhe familjen e tij u largua nga lagja.

Oficerët e policisë të cilët po e ruanin kryeministrin Kurti, treguan për Albanan Post se këtu janë vendosur nga data 28 shkurt.

Rojën e bëjnë nga vetura, meqë akoma nuk u është vendosur vendqëndrimi, një kabinë e vogël, që kryesisht shihet para shtëpive e banesave të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Albanian Post mëson se shtëpia në të cilën është vendosur kryeministri Kurti i takon Burim Zagragjës, të cilin më pas redaksia e kontaktoi dhe bisedoi me të.

Por, prishtinasi nuk ndau asnjë detaj rreth kontratës së qirasë së shtëpisë për kryeministrin.

Burim Zagrazha kishte vendosur të ndajë diçka tjetër në lidhje me kryeministrin e ri.

Në rrjetin social Facebook, Burim Zagragja ka ndarë një postim të datës 5 shkurt, ku thotë “Albini e Vjosa vizituan kompaninë e fëmijëve të mi, UCX”. Shkrimit ia kishte bashkëngjitur edhe videon e vizitës.

Sa e paguan qeranë kryeministri? Kur është vendosur këtu? Dhe për sa kohë do të qëndrojë në këtë shtëpi të re? – nuk u kuptua as këtë të enjte.

Detaje si këto e për pyetje të tjera të ngjashme nuk dinin asnjë nga fqinjët e rinj të kryeministrit Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore