Lajme

Pse janë kaq të rëndësishme Çmimet Nobel?


Filipinasja Maria Ressa dhe rusi Dmitry Muratov, janë dy gazetarët që kanë fituar Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021 mbi “përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.

Mirëpo, pse këto çmime janë kaq prestigjioze dhe cilët janë disa nga fituesit e mëparshëm?

Fituesit e famshëm të së kaluarës

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009, për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”.

Asokohe, Obama është shprehur se ishte “i befasuar dhe thellësisht i përulur” dhe do ta përdorte atë si një “thirrje për veprim”.

Megjithatë, çmimi i dhënë për të nuk kaloi pa kritika. Veçanërisht pasi ai kishte qenë në detyrë vetëm 12 ditë para afatit të nominimit.

Fitues të tjerë të shquar përfshijnë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter (2002), aktivisten për edukimin e fëmijëve Malala Yousafzai (2014), Bashkimin Evropian (2012), Kombet e Bashkuara dhe sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm, Kofi Annan, (2001) dhe Nënë Terezën e Kalkutës (1979).

Gjithashtu Albert Einstein (1921), Marie Curie (për fizikë në vitin 1903 dhe për kimi në 1911-n) dhe Harold Pinter (2005).

Cilat janë çmimet e dhëna?

Sipas “BBC”, Çmimet Nobel janë një seri çmimesh vjetore të dhëna në fushat e fizikës, kimisë, mjekësisë, letërsisë dhe paqes.

Ato u jepen njerëzve “që i kanë dhënë përfitimin më të madh njerëzimit” në 12 muajt e mëparshëm.

Kështu e ka lënë Alfred Nobel, krijuesi i çmimit.

Ai la pjesën më të madhe të pasurisë së tij në një fond për të nisur çmimet, të cilat u prezantuan për herë të parë në vitin 1901.

Ndërkaq, në vitin 1968, u shtua nga banka qendrore e Suedisë një çmim i shkencave ekonomike, por që nuk llogaritet si një Çmim Nobel.

Si funksionojnë?

Organizata të ndryshme japin çdo vit çmimin në secilën kategori. Pesë nga gjashtë zgjidhen në Suedi, ndërsa Çmimi Nobel për Paqen zgjidhet në Norvegji.

Akademikët, profesorët e universitetit, shkencëtarët, fituesit e mëparshëm dhe të tjerë, tregon “BBC”, të gjithë paraqesin nominime.

Dhe referuar rregullave të Fondacionit Nobel, listat e shkurtra nuk lejohen të publikohen për 50 vjet.

Fituesit e çmimeve quhen laureatë, për të nënkuptuar kurorën e dafinës dhënë fituesve të garave në Greqinë e lashtë.

Ka pasur edhe vite kur çmimi nuk është dhënë. Kryesisht gjatë dy luftërave botërore.

Nga ana tjetër, Fondacioni Nobel ka sqaruar se nëse askush nuk e meriton çmimin në një kategori të caktuar, ai nuk jepet dhe paratë e çmimit ruhen për vitin pasardhës.

Çfarë marrin fituesit?

Marrësi i secilit çmim merr një diplomë Nobel, një medalje Nobel dhe një çmim në para prej 10 milionë kronash suedeze, i cili ndahet midis fituesve kur ka më shumë se një.

Sipas “BBC”, këto çmime jepen në ceremonitë e 10 dhjetorit, përvjetorit të vdekjes së Nobel-it, në Stokholm dhe Oslo.

Çfarë kanë blerë fituesit e çmimeve me to?

Marie dhe Pierre Curie përdorën paratë e tyre të çmimit të fizikës në vitin 1903 për kërkime të mëtejshme shkencore. Ndërsa fituesi i fizikës i vitit 2006, John Mather, i dhuroi paratë në fondacionin e tij.

Në 1993-shin, biokimisti britanik, Richard Roberts, i kaloi fitimet e tij në ilaçe, ndërsa fituesi tjetër i vitit 1993, Phillip Sharp, bleu një shtëpi 100-vjeçare të stilit federal.

Paul Nurse, fituesi i mjekësisë i vitit 2001, bleu një motoçikletë të nivelit të lartë.

Ndërkohë, Orhan Pamuk, laureati i letërsisë i vitit 2006 krijoi një muze në Stamboll.

Cilët janë fituesit e vitit 2021?

Për këtë vit, në mjekësi e ka fituar çmimin David Julius dhe Ardem Patapoutian, në fizikë Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi, në kimi Benjamin List dhe David MacMillan.

Kurse për letërsinë, çmimi ka shkuar për Abdulrazak Gurnah.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore