Lajme

Pse Gjermania nuk do ta sanksionojë Kinën edhe nëse pushton Tajvanin?


Spektakli i politikës së jashtme të Gjermanisë po fokusohet drejt lindjes.

Për muaj të tërë Berlini ka frustruar shumë aleatë me qasjen e tij një hap para, dy hapa pas në përballjen me Rusinë dhe Ukrainën.

Megjithatë, kjo pamje duket si një paraprirje e asaj që po zhvillohet në Azi.

Kjo pasi tensionet mbi Tajvanin po detyrojnë Berlinin të peshojë se si do të përgjigjet nëse Pekini përpiqet të pushtojë vendin, të cilin Kina e konsideron një rajon të shkëputur.

Nëse kjo ndodh, SHBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë do të shtyjnë për sanksione të ashpra kundër Kinës.

Gjermania nuk ka gjasa të jetë në mesin e tyre, një kurs që mund të mbrojë ekonominë e saj të drejtuar nga eksportet, por të dëmtojë si kredibilitetin e saj ashtu edhe atë ndërkombëtar të Evropës.

I pyetur nëse Gjermania mund të përballojë të mbështesë sanksionet në rast të një pushtimi kinez, kancelari, Olaf Scholz, e shmangu pyetjen, ndërsa qortoi industrinë gjermane për injorimin e parimit “të mos i vendosni të gjitha vezët në një shportë”.

“Çështja e varësisë së vendit tonë në fusha vendimtare lidhur me zinxhirët e furnizimit, lëndët e para dhe gjëra të tjera është një element i domosdoshëm i strategjisë sonë të sigurisë kombëtare, mbi të cilën po punojmë për momentin”, shtoi ai, pa përmendur emrin e Kinës.

Të tjerët kanë qenë më të drejtpërdrejtë.

Mbështetja e industrisë gjermane tek eksportet ka “krijuar një varësi që na lë të pafuqishëm”, tha Norbert Röttgen, një deputet i shquar i qendrës së djathtë, për televizionin gjerman në fillim të kësaj jave.

A mund të mbështesë Gjermania sanksionet kundër Kinës?

“Për momentin, jo”, tha Röttgen, një ish-ministër dhe kryetar për një kohë të gjatë i komitetit të politikës së jashtme të parlamentit gjerman.

Shqetësimi i madh i Gjermanisë për antagonizimin e Moskës ishte humbja e aksesit në energjinë e lirë.

Me Pekinin, bëhet fjalë për humbjen e themelit të prosperitetit të tij ekonomik.

Vitet e fundit, Kina ka kaluar SHBA-të për t’u bërë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, duke zënë rreth 10 për qind të tregtisë së jashtme prej 2.6 trilion eurosh të vendit.

“Shkalla në të cilën prosperiteti ynë financohet nga Kina është jashtëzakonisht i nënvlerësuar në këtë vend”, tha shefi ekzekutiv i Volksëagen Herbert Diess në një intervistë të fundit.

“Gjermania do të dukej shumë ndryshe nëse do të shkëputeshim”.

Në të vërtetë, asnjë industri gjermane nuk është më e varur nga Kina sesa ajo e Diess.

Çdo e treta makinë e prodhuar nga prodhuesit gjermanë të makinave shitet në Kinë.

Prodhuesit gjermanë të makinave operojnë gjithashtu një rrjet të konsiderueshëm fabrikash në Kinë, duke prodhuar 4.3 milionë makina atje vetëm në vitin 2021.

“Industria gjermane e makinave, si pjesa tjetër e botës, po i shikon me shqetësim tensionet midis Kinës dhe Tajvanit”, tha një zëdhënëse e krahut lobues të industrisë, të njohur si VDA.

“Panik” mund të jetë një fjalë më e mirë.

Diess i VW, i cili do të japë dorëheqjen si kreu i prodhuesit më të madh të automjeteve në Evropë më vonë këtë muaj, thotë se Kina është “e domosdoshme” për të ardhmen e kompanisë.

Pamja është e ngjashme në të gjithë sektorët e tjerë kryesorë të eksportit gjerman, nga kimikatet te makineritë.

Rreth 1.1 milionë vende pune gjermane, ose 2.4 për qind e totalit, varen drejtpërdrejt nga konsumi kinez, sipas një studimi të qershorit nga Instituti Ekonomik Gjerman me qendër në Këln.

Megjithëse, Gjermania dhe pjesa tjetër e BE-së janë tregje vendimtare edhe për Kinën, studimi vëren se kinezët po reduktojnë varësinë e tyre nga rajoni, ndërsa ekspozimi evropian ndaj Kinës po rritet.

Duke pasur parasysh këtë perspektivë, mbështetja gjermane për sanksionet thelbësore perëndimore është e dyshimtë.

Megjithëse Berlini mbështeti masa të ashpra ndaj Moskës pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt, pasojat e mundshme ekonomike për Gjermaninë ishin të kufizuara dhe kryesisht për shfaqje.

Edhe pse Scholz pezulloi projektin e diskutueshëm të gazsjellësit, Nord Stream 2 me Rusinë, për shembull, ai gjithashtu u përpoq të rrethonte interesat thelbësore energjetike të Gjermanisë duke hedhur poshtë thirrjet për një embargo të plotë të gazit.

Zyrtarët në Berlin pranojnë privatisht se Gjermania nuk do të jetë në gjendje të miratojë asgjë përtej sanksioneve simbolike kundër Kinës.

Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë debate dramatike në Berlin mbi problemin e fundit moral të Gjermanisë.

Konferencat politike do t’i kushtojnë orë të tëra pyetjes dhe kolumnistët e gazetave do të derdhin fuçi boje për çdo kënd.

Por për sa i përket substancës, gjermanët do të ofrojnë të zakonshmen: nichts (asgjë).

Marrë nga Politico, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore