Kosova

Pse FMN projektoi rritje aq të vogël ekonomike për Kosovën?


Ilustrim

Ndonëse Qeveria e Kosovës në çdo konferencë e intervistë amplifikonte faktin e një rritjeje ekonomike dyshifrore në vend si dhe parashikonte se gjatë këtij viti rritja ekonomike do të jetë 7.8 për qind, projeksionet e dala nga Fondi Monetar Ndërkombëtare me të dhënat e përditësuara për muajin prill 2022, e thonë të kundërtën.

Sipas ekonomistëve projeksioni i FMN-së se gjatë këtij viti në Kosovë pritet të ketë një rritje ekonomike prej 2.8 për qind, ishte i pritshëm pasi që rritja ekonomike ka qenë e bazuar vetëm në dy indikatorë ekonomikë – rritja e konsumit dhe e importit, e të cilat rrjedhimisht nuk kontribuojnë në një ngritje të qëndrueshme.

Për profesorin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, arsyeja se pse FMN projeksionon një rritje ekonomike për vetëm 2.8 për qind gjatë këtij viti në Kosovë, qëndron te fakti se Kosova i është ekspozuar minimalisht valës së investimeve të huaja si dhe ka një varshmëri të padobishme nga remitancat.

“Kemi një tkurrje të aktiviteteve financiare pasi Organi Shqyrtues i Prokurorimit Publik (OSHP) është i pakompletuar dhe nuk kemi projekte të mirëfillta që gjenerojnë afarizëm për sektorin privat, nuk jetohet vetëm nga remitancat të cilat paraprakisht janë të gjykuara për eksport”, ka thënë Gërxhaliu për Albanian Post.

Safet Gërxhaliu

Ashtu si Gërxhaliu edhe, Erton Bega, njohës i çështjeve ekonomike tkurrjen ekonomike në vend e lidhë me normat e larta të inflacionit e cila në mënyrë eksplicite ndikon në dobësimin e shportës esenciale të qytetarit si dhe në varshmërin nga remitancat.

“Këtë vit, ekonomia jonë është duke u ballafaquar me një normë të lartë të inflacionit, e cila në muajin e kaluar ishte dyshifrore (10%) dhe kjo padyshim që sjell presion në rritjen ekonomike përmes zhvlerësimit të parasë me ç’rast produktet bazike ju marrin qytetarëve shuma më të madhe të parave. Remitancat në dy muajt e parë të këtij viti nuk kanë rritjen që kishin në vitin paraprak, ato kanë stagnuar me rritje 0.3 për qind”, ka thënë Bega për Albanian Post.

Në anën tjetër sipas Gërxhaliut, deklarimet se në Kosovë ka një rritje të të hyrave në aspektin financiar janë të vërteta, por kjo rritje duhet lexuar si rrjedhojë e ngritjes së çmimeve të produkteve strategjike dhe esenciale.

“Në një kohë kur promovohen 400 milionë euro rritje në aspektin financiar, kemi një tkurrje në aspektin voluminoz për (– 8.6 për qind), kjo është dëshmi që këtë rritje ekonomike të arritur do ta shkrijë në mënyrë graduale inflacioni që po importohet”.

Erton Bega

Mos-funksionalizimi i OSHP-së në trajtimin e lëndëve që rrjedhimisht po ndikojnë në performancën negativë ekonomik të vendit, sipas Begës është njëra ndër indikacionet se pse FMN projeksionon një rritje kaq të ulët të prodhimit vendor bruto (GDP) në Kosovë, gjatë këtij viti.

“Faktorë shqetësues për rritjen ekonomike mbetet edhe bilanci tregtar negativ i Kosovës me botën, që në dy muajt e parë shënon rritje prej 40 për qind, pavarësisht rritjes së eksporteve për 42 për qind, pasi kjo u përmbysë nga rritja e importeve për 40 për qind po ashtu, vetëm në muajt Janar-Shkurt”, ka shtuar ai.

Për Gërxhaliun, Kosovës i duhet një rritje substancial prej 3 deri në 4 për qind, e cila bazohet në investime të huaja direkte dhe indirekte, në kontraktim të punëve të kompanive vendore me ato të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Nëse vetëm kursehet dhe nuk hidhet paraja në qarkullim përmes projekteve, jo vetëm këtë vit, por edhe vitet e ardhshme do të jenë të vështira, prandaj Qeveria e Kosovës duhet të ketë një qasje më pro-ekonomike, më pro-dialog, më pro promovim të sundimit të ligjit dhe Kosovës i duhet një diplomaci ekonomike dhe politike”, ka shtuar ai.

Ilustrim

Në anën tjetër sipas Begës, Kosova ka shënuar rritje ekonomike mesatare prej 4,6% në baza vjetore pas pavarësisë dhe nëse këtë vit do të arrihej kjo mesatare atëherë një gjë e tillë do të duhej të vlerësohej si sukses për ekonominë e vendit.

“Duke marrë parasysh faktorët ekonomikë aktualë brenda Kosovës dhe faktorët e jashtëm që vështirë mund të parashikohen, nuk shohim indikacione për arritjen e parashikimeve qeveritare për rritje ekonomike prej 7.8 për qind, por të njëjtat indikacione më tepër mbështesin parashkimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për rritje ekonomike prej 2.8% respektivisht 3.9%”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes raportit “Perspektiva Ekonomike Botërore”, ka bërë të ditur se pret që Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) i Kosovës të rritet për 2.8 për qind këtë vit.

Për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind.

Rritja ekonomike e Kosovës bazuar në raportin e FMN-së vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 3.9 për qind, e ndërsa gjatë vitit 2027 në 3.5 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore