Shqipëria

Pse është rritur kaq shumë numri i divorceve në Shqipëri?


Vrasja e fundit e ndodhur në Tiranë, siç u kuptua më vonë, ishte një konflikt familjar që nisjen e kishte në probleme bashkëshortore.

M.P., qëlloi tetë herë në drejtim të ish-dhëndrit K.S., për ta lënë të vdekur në vend.

Ky rast që përfundojë me fatalitet është vetëm një nga konfliktet e shumta në Shqipëri që si start kanë ngatërresën bashkëshortore.

Statistikat e vitit 2019 tregojnë se në Shqipëri një në katër martesa përfundojnë në divorc. Më saktësisht, 26.1 për qind e tyre.

Janë pesë vjetët e fundit që kanë parë një rritje prej 11 për qindësh.

Dhe shumica e këtyre divorceve, siç kanë treguar për Albanian Post disa studio ligjore, përfundojnë me konflikt.

“Mbi 80 për qind e divorceve, janë rrjedhojë e padive”, thonë për AP nga një studio ligjore që trajton divorcet.

Ishte një nga këto 80 për qind edhe ajo që përfshinte personazhet e 4 qershorit që perëndoi tragjikisht me një të vdekur.

Tranzicioni psikologjik

Pse-të e rritjes së numrit të divorceve në Shqipëri, nuk shpjegohen – vetëm – nga fenomene universale.

Fillimisht, duhet analizuar fenomeni i divorceve, thotë psikologia, Lorela Garuli, e cila mendon se faktorët ndikues janë të shumtë, por në thelb, ato grupohen si një tranzicion psikologjik kolektiv.

“Çdo shoqëri në tranzicion e ka hasur fenomenin e divorcit”, shpjegon Garuli.

“Shqipëria, ende është në tranzicion psikologjik. Kjo që po ndodh sot këtu, është pasqyrë e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë në vendet perëndimore”.

Ndër të tjera, Garuli argumenton se tranzicioni politik, ka qenë po ashtu ndikues në shfaqjen e tillë të dhunës.

“Kemi një përplasje midis dy brezave të dy sistemeve të ndryshme. Kjo shpjegon se pse familja është në të tillë krizë identiteti. Ndarja me konflikt, është pikërisht pjesë e kësaj kulture”.

Sakaq, një natyrë maskiliste e karakterizon jetën në çift, por edhe atë sociale në tërësi sipas saj. Këtu, ajo përmend edhe rastet e ndryshme të dhunës. “Meritë” për këto akte për të, mund të ketë në vetvete edhe fuqizimi i grave dhe vajzave.

“Gjendemi në një realitet ku tashmë gratë, janë më vendimmarrëse. Por, shoqëria, jo gjithnjë është gati dhe në gjendje ta përballojë menjëherë ndryshimin”.

Tabu jo Tabu

Jeta në çift në Shqipëri është një aspekt më kompleks se ai i zakonshmi. Nëse dikur divorcet kanë qenë tabu, sot, ata janë kthyer në çështje normale sipas Garulit.

Kjo është e vërejtshme edhe nga shifrat, të cilat flasin vetë.

Një ndër faktorët, është edhe ai i ndërhyrjes së familjeve në jetën në çift – me rastin e fundit, më të referueshëm se kushdo.

“Fillon që nga edukimi”, mbështet tezën e saj psikologia. “Shumë nga ne janë rritur me gjyshër. Të tjerë janë shumë të lidhur me familjen, i bëhet pjesë e rutinës. Pikërisht për shkak të kësaj, të afërmit ndërhyjnë, ose e thënë më qartë, fusin hundët në jetën martesore”.

Thënë kjo, Garuli nuk dëshiron ta shohë si një sindromë të përbashkët të shqiptarëve, këtë sjellje të vërejtur kohët e fundit.

“Fatkeqësisht kemi shumë dhunë, shumë agresivitet, në shumicën e rasteve mashkullor, duke qenë se nga ana sociale shihet si sjellje më e mirëpranuar. Por ngjarjet e fundit janë të ndikuara së shumti edhe nga pandemia”.

Nga pandemia, në aspektin e ndikimit ekonomik që ka pasur kjo e fundit, mendon psikologia.

“Nuk duhet harruar se ekonomia është dobësuar për shkak të pandemisë. Pra, varfëria prodhon dhunë dhe dhuna prodhon varfëri”.

Rruga, në opinionin e Garulit, është një klithmë e qartë e shoqërisë, për t’iu rikthyer aspekteve të edukimit dhe kujdesit ndaj shëndetit mendor.

Fjalë të thëna shpesh, por mbi të cilat ende nuk ka një konkretizim të fakteve mbi prejardhjen e vërtetë të këtyre sjelljeve.

Ato tashmë po shfaqen prej kohësh, por, jo pak herë, harresa i ka fshehur, për t’i rikthyer në vëmendje kur ato risjellin veten në sipërfaqe si me 4 qershor në qendër të kryeqytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore