Kultura

Pse duhet lexuar Kadare sipas David Bellos


David Bellos, përkthyesi dhe biografisti anglez, i dedikon një artikull të tërë veprës artistike të Kadare-së. Ai paraqet kritikën dhe arsyet e tij pse duhet lexuar Kadare duke ofruar një panoramë më të gjërë të figurës së autorit.

“Arsyeja kryesore dhe më e rëndësishmja pse duhet të lexojmë Ismail Kadarenë është se ai është një rrëfimtar i shkëlqyer. Rrëfen histori të mrekullueshme, dhe rrëfen shumë”, nis kështu Bello artikullin e tij duke e krahasuar veprën e tij me Balzak-un.

“Në disa aspekte, Kadare është si Balzak-u. Por Balzak-u u kufizua në një vend të quajtur Paris, dhe në një kohë, në vitet 1820 (me vetëm disa ekskursione në provincat franceze dhe në Rilindje), ndërsa Kadare na çon kudo: në Egjiptin e lashtë, në Kinën moderne,në Moskë dhe Austri dhe në Perandorinë Otomane. Ka një aftësi gati si të Zhyl Vern-it për të udhëtuar nëpër botë”, shkruan ai duke dhënë një qasje të epokave dhe vendeve që përfshin vepra e tij.

“Nëse lexoni Ismail Kadarenë, përshkoni të gjitha epokat që nga shpikja e shkrimit, nga Keopsi që ndërton Piramidën e Madhe te debatet mbi trashëgiminë e Enver Hoxhës në Shqipërinë e viteve 1980-të, e deri te ngjarjet dhe situatat që ndodhin në Evropën Perëndimore pas rënies së komunizmit”.

Kadare cilësohet nga David Bellos, si një autor jo vetëm gjithëpërfshirës po edhe i larmishëm pasi nuk fokusohet në shkrimin e vetëm një lloj romani.

“Disa nga historitë e rrëfyera janë të vogla, vetëm pesë faqe të gjata, si ‘Ëndërr mashtruese’, të tjerat janë saga të mëdha që shtrihen në më shumë se pesëqind faqe. Ka romane me gjatësi standarde si ‘Prilli i Thyer’, dhe pastaj romanet-sagë, ku përfshihet ‘Koncerti’ dhe ‘Dimri i Madh’. Pra, sa i përket formave të njohura të romanit, është një larmi e jashtëzakonshme formash të tilla për t’u hulumtuar brenda një vepre e cila në vetvete hulumton të gjithë botën”, vlerëson ai.

Sipas përkthyesit anglez, një nga tiparet më të goditura dhe të vazhdueshme të botës së Kadaresë, është prania e përhershme e disa miteve të Greqisë së lashtë. Prania e atyre miteve që sipas tij dramatizojnë urrejtjet familjare dhe efektin helmues, korruptues dhe të frikshëm të afërsisë me pushtetin.

 “Shumë nga personazhet njerëzore të Kadaresë shpesh s’janë të sigurt nëse janë zgjuar apo në gjumë. Hyrjet tipike në jetën e brendshme të protagonistëve fillojnë me: “Iu duk se…”, “S’ishte fort i sigurt nëse…,” dhe kështu me radhë. Kufiri midis të qenit në gjendje të shohësh qartë dhe pamundësisë për ta bërë këtë s’është kurrë plotësisht i dallueshëm”, shkruan Bellos duke e vlerësuar ndjenjën e konfuzionit që shkrimet e Kadare-së shkaktojnë si një pikë tërheqëse ndaj zhvillimit të ngjarjeve në vazhdim.

Në një krahasim mes teknikës së Kadaresë dhe Balzak-ut lidhur “personazhet e rishfaqur”, Bellos vlerëson se Kadare  është shumë më i mprehtë në stil, pasi nuk lidh edhe aq subjektet rrëfimore të romaneve sesa tërë strukturën e tyre të aluzioneve dhe referencave.“Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme”, shkruan ai.

“Për fat të keq, deri më sot është përkthyer në anglisht vetëm rreth një e treta e saj. Kjo është një arsye mjaft e mirë për të mësuar frëngjisht, nëse nuk provoni të mësoni gjuhën shqipe aq sa të jeni në gjendje për të lexuar këtë mjeshtër të madh të letërsisë moderne evropiane. Le të shpresojmë se është edhe një arsye mjaft e mirë për botuesit britanikë dhe amerikanë që të porosisin një mori përkthimesh të reja, pasi janë nxitur nga dhënia e Çmimit Neustadt”, përmbyll kështu përkthyesi anglez, Bellos artikullin e tij për gazetën angleze, World Literature today. /AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore