Lajme

PSD: “Ndryshimet në Ligjin e KPK-së do ti mundësojnë pushtetit të realizoj arrestime spektakolare dhe damkosjen e çdo kundërshtari të këtij sistemi politik”


Dren Kukaj, Partia Social Demokrate

“Këshilli Prokurorial i Kurtit” dhe “Republika e tretë e kapur”, janë mbishkrimet që Partia Social Demokrate i la të shënuara në murin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kjo, në shenjë revolte për ndryshimet ligjore për këtë këshill të votuara në Kuvendin e Kosovës një ditë më parë.

Në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, u votua nga deputetët e shumicës parlamentare ndryshimet në Ligjin Prokurorial të Kosovës.

Nga 61 vota, 60 prej tyre votuan për, duke bërë që këto ndryshime ligjore të kalojnë në lexim të dytë.

Kundër këtyre ndryshimeve, të premten kanë protestuar në mënyrë simbolike anëtarë të Partisë Social Demokrate.

Dren Kuka, anëtar i kryesisë në PSD-së ka thënë për medie se këto ndryshime ligjore janë të dëmshme dhe si rrjedhojë e fuqizojnë të drejtën e anëtarëve jo prokurorë karshi atyre që janë prokurorë në marrje të vendimeve, duke bërë kështu që ky institucion të bëhet vegël e pushtetit.

“Më këto ndryshime vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme siç është zgjedhja e prokurorit, kryeprokurorëve të prokurorive si dhe çështjet disiplinore të prokurorëve do të jenë të kushtëzuara nga anëtarët jo-prokurorë në këtë Këshill”.

“Keni parasysh që amendamenti i nëntë i dorëzuar në leximin e dytë e vulosë ndikimin e anëtarëve jo-prokuror karshi anëtarëve prokurorë në këtë këshill”, përsëriti Kukaj.

“Pak a shumë, anëtarët jo prokurorë që do të delegohen nga pushteti do të kenë një lloj vetoje mbi vullnetin që do ta kenë anëtarët prokuror të këtij këshilli”, shtoi ai.

Rreth Projektligjit për KPK-në, disa muaj më parë Ministria e Drejtësisë ka kërkuar një opinion ligjor nga Komisioni i Venecias.

“Mos të harrojmë që këto ndryshime legjislative prej kur kanë filluar e deri më tash janë ballafaquar me vërejtje serioze edhe nga Komisioni i Venecias por edhe nga shoqëria civile”, rikujtoi Kukaj.

Këto vërejtje nëse i shikoni me vëmendje e kanë një emërues të përbashkët që ndërlidhen me shqetësimet mbi kontrollin politik të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për fatin tonë të keq, këto shqetësime janë bërë pjesë e realitetit tonë”.

“Tash ky këshill shumë shpejt do të jetë në kontrollin politik të pushtetit të Kurtit”, tha Kukaj.

Ndryshimet Ligjin për KPK-në sipas PSD-së janë cenim serioz i pavarësisë së këtij institucioni të cilat do të shërbejnë për të marrë vendime kundër të drejtave fondamentale të njeriut.

“Kapja e sistemit prokurorial që i është bërë dje përmes”, përfundoi Kukaj.

Menjëherë pas votimit në kuvend, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës duke u shprehur kundër ndryhsimeve të Ligjit në fjalë.

Këshilli ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij Ligji, pasi sipas tyre me këtë ligj po cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit dhe sidomos po pamundësohet funksionalizimi i sistemit prokurorial duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

“Këshilli Prokurorial, që nga fillimi i procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së ka dhënë kontributin e tij nëpër grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dalë me propozime konkrete, të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, nga komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës. KPK-ja konsideron se votimi i këtij ligji, në këtë mënyrë, cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetuese”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Tutje në reagim thuhet se “asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”.

Pas votimit të këtij projektligji në seancën e kuvendit, të enjte, ka reaguar Ministria e Drejtësisë duke përshëndetur mbështetjen e deputetëve.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se përmes këtyre ndryshimeve, KPK-ja do të ketë përbërje të balancuar në pajtim me standardet ndërkombëtare të konfirmuara nga Komisioni i Venecias.

Po ashtu, Ligji i ri për Këshillin Prokurorial do të mundësojë që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, i kryeprokurorit të Shtetit, si dhe i kryeprokurorëve të prokurorive do të jetë transparent, i bazuar në kritere të qarta dhe po ashtu i bazuar në meritë.

“Këto ndryshime do të mundësojnë që Këshilli Prokurorial, por edhe sistemi prokurorial në tërësi t’i realizojnë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Reformat në drejtësi do të vazhdojnë, ato janë parakusht për sistem efikas, transparent dhe llogaridhënës të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore