Lajme

PSD: Mos e votoni Ligjin për inspektimin administrativ, krijon “polici politike”


Nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati

Për Partinë Social Demokratike projektligji për Inspektimin Administrativ e cila ka kaluar fazën e konsultimeve politike, nuk duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, pasi që sipas tyre një mekanizëm i tillë ka për qëllim krijimin e një “polici politik” që do të kontrolloj, shantazhoj dhe hetoj administratën publike nën kompetencat e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Projektligji ka për synim krijimin e Inspektoriatit Administrativ, që do jetë agjenci ekzekutive dhe e cila më shumë i ngjan një trupe policore civile pa uniformë”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas PSD-së, me projektligjin në fjalë zyrtarëve publik po iu shtohet edhe një mekanizëm i centralizuar për të vlerësuar punën e tyre.

“Me ligjin e ri për Inspektoriatin Administrativ ku inspektori mund të kryej inspektimin edhe pa paralajmërim edhe pa subjektin që po inspektohet, jo vetëm që ndërhyn drejtpërdrejt në pavarësinë dhe neutralitetin politik të institucioneve të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, i njëjti hap rrugën për inskenime e montime të çfarëdoshme me motiv të shtrirjes së kontrollit dhe pushtetit nga lartë-poshtë”, vazhdon komunikata.

PSD madje mendon se një ligj tjetër e që është Projektligji për Inspektimet që ka kaluar fazën e shqyrtimit të dytë në Kuvendin e Kosovës ka për qëllim krijimin e një rruge ku Qeveria mund të ndërhyjë në kompetencat ekskluzive të pushtetit lokal.

“Nga shembujt nëpër botë e dijmë që ndërhyrja në kompetencat e Qeverisjes Lokale, pra në centralizimin e tyre në pushtet qendror, veç autoritarizëm ushqen. Ky është rreziku që kanos Kosovën në momentin që një ligj i tillë hyn në fuqi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore