Kosova

PSD: Molliqaj s’ka pranuar deri sot asnjë ftesë nga gjykata sipas procedurave


PSD

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas lëshimit të fletëarrestit ndaj kryetarit të saj, Dardan Molliqaj, për të cilën ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë pa asnjë arsye ka lëshuar urdhër arrest.

Zëdhënësja e PSD-së tha se vetëm sot dhe vetëm përmes mediave kanë kuptuar se është lëshuar një fletarrest i tillë.

“Dëshiroj të njoftoj opinionin publik se z. Molliqaj deri më tash nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga kjo gjykatë në përputhje me procedurën përkatëse në fuqi, e rrjedhimisht lëshimi i këtij urdhërarresti duket që është nxjerrë në shpërputhje me kushtet e parapara ligjore. Ftojmë gjykatën të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave”, ka thënë ajo.

“Mungesa e një dëshmie të tillë, dëshmon qartë se të drejtat e z. Molliqaj i janë cenuar nga lëshimi i këtij urdhërarresti”.

PSD thotë se gjykata dhe organet e policisë fare mirë e kanë ditur adresën e banimit, si dhe të zyrës së tij e të punës e të gjitha kontaktet e Molliqajt, por se nuk i kanë përdorur ato.

“Njoftojmë opinionin se z. Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër”, njoftoi PSD.

Të mërkurën, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti, të cilët po akuzohen për sulm fizik ndaj Haki Abazit.

Në këtë seancë sërish kanë munguar dy të akuzuarit Molliqaj dhe Sahiti.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se gjykata pas pranimit të raportit nga Policia e Kosovës se i njëjti nuk është i qasshëm në adresën e dhënë nga gjykata, më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në këto rrethana seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Edhe seanca e paraparë për 1 qershor kishte dështuar për shkak se policia nuk e kishte zbatuar urdhrin e gjykatës për ta sjellë Dardan Molliqajn në seancë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing” të studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të  dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Haki “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma ne këmbë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht deri sa i dëmtuari arrin të ju largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.

Molliqaj dhe Sahiti janë duke u akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

  • PSD

  • Lajmet kryesore