Lajme

PSD kundër slloganit të VV-së, përleshet me policinë


Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, aktivistët e Partisë Socialdemokrate kanë vendosur shkrimin “Krejt dhe drejt = i gjithë pushteti sovjetëve” duke tërhequr paralele mes sloganit të VV-së dhe një parulle bolshevike. Pas vendosjes së parullës, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës që është përleshur me aktivistë të PSD-së.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se slogani i Vetëvendosjes “Krejt dhe Drejt” duket si “diçka e re kundër të vjetrës”. Megjithatë, sipas tij, kjo është vetëm “në lexim të parë”.

Sipas PSD-së, kjo parullë, e përdorur para 1 shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë, ngase siç thonë ata në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare.

“Në fakt asgjë më mirë se ky slogan nuk e paraqet Vetëvendosjen në thelb se çka është sot. Me këtë slogan, jo vetëm që s’është e reja, por edhe në mendësi është e vjetra, e në histori është një shekull e vjetër. Para një shekulli, i gjithë pushteti i sovjetëve përdorej në rrethana tjera por një shekull më herët e që s’dallon shumë edhe pse kanë ndërruar tërësisht rrethanat”, ka thënë ai duke akuzuar Vetëvendosjen se dëshiron që i gjithë pushteti të koncentrohet në një parti.

Tutje thuhet se në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një ‘shpëtimtar’.

“Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani ‘krejt pushteti sovjetëve’ në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem”, thuhet në një komunikatë të PSD-së”.

Pas vendosjes së parullës, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës që është përleshur me aktivistë të PSD-së. Mësohet se kryetari i PSD-së dhe anëtarë të tjerë janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore