Lajme

PSD e Nisma protestojnë kundër “Albin Zajednicës”


Parullat e protestes nga PSD

Parulla si “Albin Zajednica” e fotografi të mëdha me fytyra të kryeministrit të Kosovës me hundën të zgjatur si djali prej druri (Pinokio), do të shihen në Prishtinë të shtunën, në orën 14:00, në protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

PSD proteston kundër marrëveshjes së arritur nga Kurti për normalizim raportesh me Serbinë, bazuar në propozimin franko-gjerman, me 27 shkurt dhe aneksin e pajtimit për zbatim arritur me 18 mars në Ohër.

“Në njërën anë na rrezikohet shtetësia, e në anën tjetër po na përmbyset demokracia”, ka thënë lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një adresim/thirrje për qytetarët që të protestojnë.

PSD u ka kërkuar mbështetje të gjitha partive opozitare (përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës) që po e kritikojnë po ashtu marrëveshjen mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Molliqajt i është përgjigjur pozitivisht vetëm Nisma për Kosovën, partia e udhëhequr nga Fatmir Limaj, por jo edhe dy partitë e mëdha opozitare parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Marrëveshjen ashpër e kanë kritikuar LDK e PDK në seancën raportuese të Kurtit në parlament, por protestës s’kanë vendosur t’i bashkohen.

“Kemi një qeveri të papërgjegjshme karshi zotimeve të veta dhe një marrëveshje të keqe për interesin shtator”, tha Molliqaj në thirrje për protestë.

“Është e rëndësishme që të vendosim standard demokratik”, shtoi ai, prandaj është e udhës të protestohet.

PSD përveç refuzimit të marrëveshjeve, një nga parullat kryesore do ta ketë edhe “dorëheqjen e Kurtit” nga pozita e kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore