Lajme

PSD e gjuan Kurtin me qershi fytyrës


Protesta e PSD-së nën sloganin "Një grusht qershi për Kryeministrin"

Anëtarët e Partisë Social-Demokrate të Kosovës, mbrëmjen e së enjtes kanë hedhur qershi në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, në shenjë proteste për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për çështjen e targave dhe pajtimin pajtimin për të vazhduar dialogun sipas propozimit franko-gjerman.

PSD përmes një aksioni simbolik para objektit të Qeverisë, protestuan nën sloganin “Një grusht qershi për Kryeministrin”.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, ka thënë para gazetarëve se kreu i ekzekutivit hoqi dorë nga vendimi për targat dhe, sipas tij, e ka pranuar edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në bazë të propozimit franko-gjerman.

“Mbrëmë natën ka nënshkruar marrëveshje vartësi i tij, i cili i ka pranuar krejt marrëveshjet që më herët i kemi kundershtuar sëbashku, e të cilat janë të dëmshme për Kosovën”.

“Në marrëveshjen e mbrëmshme kryeministri e ka pranuar edhe Asociacionin”, shtoi Molliqaj.

Ndërsa anëtari i kësaj partie, Nol Nushi, përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se shefi i qeverisë provoi të largohej, por nuk ia doli.

“U perpoq me hy tinëz kah dera e pasme në ndërtesë të qeverisë në sallën ku kishte takim me anëtarët e VV-së, por e zumë”.

“Të bëfshin mirë qershitë kryeministër! Por Asociacionin nuk ke me e sjellë pa rezistencë qytetare”, shtoi ai.

Ndryshe, pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM.” e të ngjashme.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhej në njoftim.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore