Shqipëria

Prurje të reja në zgjedhje apo “të rinj”?


Në kuadër të zgjedhjeve, që do të mbahen më 25 prill, partitë politike dorëzuan listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë. Më 8 mars u vu re një përmbysje e listës së kandidatëve të 2017-ës.

Emra të njohur të politikës u zëvendësuan me ato të individëve të paangazhuar më parë në politikë ose ato që nuk kanë qenë deputet në katërvjeçarin e fundit.

Marrë shkas nga sa u parashtrua më sipër, Albanian Post bëri një analizë të shkurtër të listave të tanishme krahasuar me ato të zgjedhjeve paraardhëse. Vihet re që prurjet e reja kanë zënë një përqindje të konsiderueshme në listat e kandidimit.

Partia Socialiste ka vendosur në krye të listave emrat e rinj, ndërsa PD-ja ua ka lënë stafetën emrave të njohura të politikës.

Por, sa nga emrat janë vërtet të rinj?

Në listën e deputetëve të Partisë Socialiste (PS), rreth 21% e emrave e zënë prurjet e reja. Sa i përket Partisë Demokratike (PD), vërehet një përqindje e konsiderueshme, por më e ulët se përqindja e PS-së.

Sa vend zënë këto emra në tablonë e zonave të sigurta?

Te tabloja e PD-së, rreth 70% e kandidatëve në vende të sigurta janë persona, të cilët nuk kanë qenë deputetë pas zgjedhjeve të vitit 2017.

Sa u takon dy partive të tjera, të rinjtë në zonat e sigurta te PS-ja zënë rreth 55%, kurse te Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI-ja) 50% të listës së saj.

Ndryshimet në Kodin Elektoral, të kryera në kuadër të reformës zgjedhore, u japin shanse për të fituar edhe atyre që janë vendosur në pjesën e fundit.

Listat pjesërisht të hapura, u japin mundësi votuesve për të zgjedhur kandidatin e preferuar pavarësisht renditjes.

Por, cila është partia që kryeson me “të rinjtë” në këto zgjedhje?

Sipas Ligjit të Rinisë në Kushtetutë, “të rinj” janë personat, i ri ose e re, që kanë mbushur moshën 15 deri në 29 vjeç.

Duke vëzhguar listat e tre partive kryesore në rang vendi, del se: PD-ja kryeson me 16 kandidatë të rinj, pasuar nga LSI-ja me 15 kandidatë dhe Partia Socialiste me numrin më të ulët, 6 kandidatë brenda listës.

Te cilat qarqe janë përqendruar partitë për shpërndarjen e kandidatëve të rinj?

Në listat e PD-së, qarku i Tiranës ka kryesimin më të madh me katër emra të rinj, ndërsa katër qarqe, kryesisht veriore nuk kanë asnjë kandidat të tillë në listë.

PS-ja ka zgjedhur qarkun e Lezhës, për të kryesuar me listën e të rinjve, me tre emra, teksa shtatë qarqe të tjera nuk kanë asnjë përfaqësues “të ri”.

LSI-ja, “qarkun e rinisë” ka përcaktuar Fierin, me pesë emra kandidatë të rinj, ndërkohë që tre qarqe nuk kanë asnjë kandidat që “e kap” ligji i rinisë.

Ajo që i “bashkon” tre partitë kryesore janë qarku i Dibrës dhe Gjirokastrës, “të përjashtuar” nga ky stad përfaqësimi.

Ndoshta është thjesht rastësi datëlindjeje, që nuk korrespondon me vitin 1992, ndoshta është zgjedhje e partive apo mungesë e personave “të formuar” për të qenë pjesë e listës…

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore