Shqipëria

Provimet online, kopjet offline


Universiteti i Tiranës ka publikuar udhëzuesin mbi zhvillimin e provimeve të semestrit të parë ku sipas rregullave të përgjithshme është vendosur që provimet të zhvillohen online sipas afatave të caktuara në strukturën e vitit akademik. Provimet online do të zhvillohen me shkrim ose me gojë ose varianti i tretë të kombinuara.

Zëvendësdekania e Fakultetit të Shkencave Sociale, në një bisedë me gazetaren e Albanian Post, ka sqaruar disa çështje që lidhen me zhvillimin e provimeve online, veçanërisht për mënyrën e zhvillimit dhe transparencën në provime.

Sipas saj çdo student është njoftuar më përpara në lidhje me zhvillimin e provimit që të marrin masa për të siguruar një pajisje kompjuter, tablet ose telefon.

“Nëse nuk kanë mundësi atyre ju lihet një datë tjetër të mëvonshme qe të ndërmarrin masa. Ne si fakultet nuk mundemi të sigurojmë një telefon ose laptop për studentët që ti marrin dhe t’i kthejnë përsëri në fakultet. Janë këshilluar në kohë ku sipas hapësirave dhe mundësive ditën e provimit të respektojnë proceduarat që janë për të kryer provimet”.

Në lidhje me transparencën gjatë provimit ajo u shpreh se kjo arrihet nga mënyra e formulimit të provimit.

“Në udhëzues përcaktohet qartë që studentët duhet të jenë në një mjedis vetëm dhe me kamer hapur ndërkohë që mbahet provimi. Mënyra e konceptimit të provimit jo vetëm online, por edhe në auditor formulohet në atë mënyrë që  edhe sikur të kesh librin ose materialet hapur nuk ke kohë të lexosh, të gjesh përgjigjen e pyetjes dhe më pas ta riformulosh”.

Ajo theksoi gjithashtu se pedagogët nuk do e zhvillojnë procesin e provimit në një formë të tillë që studentët të kenë kaq shumë lehtësi për të manipuluar provimet dhe kjo nuk bëhet me qëllim për të penalizuar studentin, por për të kuptuar nivelin e njohurive.

Procedurat e provimit, forma e realizimit janë të sqaruara në udhëzues bashkëshoqëruar me një video informuese, udhëzuese se si do realizohet provimi në platformën Microsoft Teams.

Ndërsa, studentja e masterit shkencor të degës Studime Rajonale Politike, Eranda Zorba e shikon me mëdyshje zhvillimin e provimit online.

“Une personalisht i kam kushtet per t’i zhvilluar në këtë formë. Por, nuk e konsideroj një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë, për shkak se së pari jo të gjithë e kanë këtë mundësi, për të pasur një kompjuter dhe internet. Së dyti sepse mund të ndodhin probleme teknike, të cilat nuk janë në dorën tonë dhe të penalizohemi për këtë”.

Ajo thekson se për sa kohë leksionet dhe semiaret u zhvilluan online dhe supozohet që funksionuan edhe provimet online mund të rezultojnë të suksesshme.

“Vështirësia e vetme mendoj është mungesa e infrastrukturës së nevojshme që cdo student të ketë mundësinë e zhvillimit të provimeve në kushtet online. Përtej kësaj, në pamundësinë e kthimit në auditor, është diçka që të gjithë jemi detyruar të përshtatemi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore