Shqipëria

Provimet erdhën, bashkë me to edhe sfidat!


Universiteti i Tiranës ka publikuar udhëzuesin mbi zhvillimin e provimeve të semestrit të parë, ku sipas rregullave të përgjithshme është vendosur që provimet të zhvillohen online.

Realizimi online i provimeve ka sjellë përfitime në aspekte të ndryshme. Sidoqoftë, me përfitimet, vijnë sfidat e tij shoqëruese.

Nëse ky sistem do të jetë efektiv, atëherë është e rëndësishme që këto sfida të adresohen.

Sfida e parë dhe mbase më e dukshme me të cilën përballen studentët është disponueshmëria e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera.

Dy studentë, me pikëpamje të ndryshme, u shprehën për Albanian Post mbi këtë çështje.

Nëse i vendosim mendimet e tyre në një drejtim, ata duken si dy vija paralele që nuk takohen kurrë.

Mario, studenti i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, e ka humbur shpresën se do të funksionojë kjo metodë. Ai ka zgjedhur të mos futet më në provime, me eksperiencat që ka kaluar deri tani.

“Profesoresha poston link-un e provimit, por ai nuk hapet dhe faji nuk është yni. Kështu ikën dhe mundësia për të përfunduar provimin”, shprehet Mario.

Ai na tregon dhe për rastin tjetër kur link-u thjesht nuk hapet.

 

Nga ana tjetër, Eni na tregon për situatën në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (FHF).

“Një nga avantazhet e provimeve online është fakti që provimet mund të jepen edhe kur ti je larg apo në punë. Ka pasur probleme, por jo të pazgjidhura”, thekson Eni.

FHF-ja duket se i ka marrë parasysh problemet që mund të dalin gjatë provimeve online. Ato u kanë propozuar studentëve një sezon njëjavor, nëse, për arsye nga më të ndryshmet, nuk kanë mundur të futen në provim.

Kjo nismë, sipas fakulteteve, është mbështetur edhe nga Rektorati i Tiranës.

Për këtë problematikë, rektorati ka reaguar duke u shprehur për trajnimet e shumta që kanë marrë pedagogët për krijimin dhe mbarëvajtjen e provimeve online. Sipas tij, i fundit ka qenë më 12 shkurt, kur pedagogët u njohën me aplikacionin “Forms”.

Kjo u mundëson atyre njohjen e ndërtimit të anketave dhe pyetësorëve që zhvillohen online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore