Lajme

Prova e dytë për arritjen e marrëveshjes për targat, Bislimi: Serbia s’ishte konstruktive


Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak

Për zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe njëherit kryenegociatorit në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, në provën e dytë për të arritur një marrëveshje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel, e cila ka dështuar përsëri të premten e 13 majit, fajtor ka qenë Serbia.

Bislimi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter një ditë pas dështimit të bisedimeve për çështjen e targave, ka theksuar se zgjedhja e Serbisë për pengimin e një marrëveshjeje përmes pjesëmarrjes si strategji parësor po rezulton efikase në parandalimin e progresit në dialog.

“Përkundër pritjeve dhe angazhimit para takimit , Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel. Konstruktiviteti dhe kreativiteti nga ana jonë është i nevojshëm dhe i dobishëm, por me sa duket jo i mjaftueshëm. Dua të falënderoj Miroslav Lajcakun  për interesin dhe përpjekjet e tij të sinqerta drejt përfundimit të suksesshëm të negociatave për targat dhe energjinë”, ka shkruar Bislimi.

I pari që lajmëroi dështimin e bisedimeve në Bruksel, ishte i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili mes tjerash ka bërë të ditur në takimin e 13 majit ka pasur disa rezultate të përziera duke shtuar se ka pasur progres në temën e energjisë.

“Rezultate të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat por u bë përparim për çështje tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak në rrjetin e tij social në Twitter.

E ndërsa si zakonisht për të ashtuquajturën drejtor i zyrës së vetëquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, fajtorë në mos-arritjen e një marrëveshjeje për targat në Bruksel ishte pala kosovare.

“Mos bini në kurthin e Prishtinës, janë ata që duan që dialogu të dështojë. Kështu kanë bërë gjithë këta muaj, të njëjtën gjë kanë bërë edhe dje. Fakti që Bislimi nuk dëshiron të flasë drejtpërdrejt me palën tonë tregon se ata nuk duan asgjë për të negociuar me ne”, ka deklaruar Petkoviç, në një paraqitje në radio televizionin serb, RTS.

Sipas pretendimeve të Petkoviç, kur pala serbe ka dëshiruar të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe apo edhe çështjen e personave të zhdukur, ka qenë pala kosovare ajo që ka ikur e ka refuzuar të flasë.

“Gjatë gjithë kohës flasin për çështjen e persona të zhdukur, por kur duhet të biem dakord për diçka konkrete, ata tërhiqen. Bisedimet e djeshme janë rënduar nga fakti se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore