Lajme

Protestuesit serbë fillojnë të mblidhen sërish para objekteve komunale në veri të Kosovës


Qytetarë serbë të cilët me çdo kusht duan të ndalojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave, duke kundërshtuar kështu udhëheqjen e tyre, kanë filluar të mblidhen edhe këtë të martë para ndërtesave të komunave.

Por, para po këtyre objekteve në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan është duke qëndruar KFOR-i e pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit.

Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.

Një ditë më parë protestues me e pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, kanë deklaruar për Albanian Post se të martën nuk do të dalin në zyrë, për shkak të tensioneve të krijuara dhe për shkak se ambasadori amerikan, në takimin që kishin dje, i kishte qortuar për këtë veprim.

“Nuk shkojmë nesër në zyrë, ambasadori amerikan na qortoi”, intervistë e Albanian Post me kryetarin e Zubin Potokut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore