Lajme

Protestuesit në Iran mblidhen jashtë burgut në përpjekje për të ndaluar ekzekutimet


Në Iran, dhjetëra njerëz demonstruan jashtë një burgu gjatë natës mes raportimeve që autoritetet po përgatiteshin të ekzekutonin dy protestues të tjerë antiqeveritar.

Aktivistët e opozitës postuan video që shfaqnin njerëz duke brohoritur parulla përpara burgut Rajai Shahr në qytetin e Karaj.

Të shtunën e 7 janarit, dy protestues u varën duke shkaktuar dënime ndërkombëtare.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shprehu keqardhje për ekzekutimet tronditëse të Mohammad Mahdi Karami dhe Seyed Mohammad Hosseini.

Për to, zyra e OKB-së ka thënë se kanë pasuar “gjyqe të padrejta të bazuara në deklarimet e detyruara”.

Një Gjykatë Revolucionare i shpalli ata fajtorë për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e një anëtari të forcës paraushtarake Basij në Karaj në nëntor.

Por të dy e kanë mohuar akuzën dhe po ashtu kanë treguar se janë torturuar.

Respektivisht kanë qenë personi i tretë dhe i katërt që janë ekzekutuar në lidhje me protestat që shpërthyen në shtator pas vdekjes në paraburgim të një vajze të arrestuar nga policia e moralit se e kishte veshur hixhabin në mënyrë “të pahijshme”.

Sakaq, autoritetet i kanë portretizuar ato si trazira dhe janë përgjigjur me forcë vdekjeprurëse.

Deri më tani, të paktën 519 protestues dhe 68 personel sigurie janë vrarë.

19 mijë e 290 protestues të tjerë janë arrestuar dhe se 111 prej tyre besohet se janë “nën kërcënimin e afërt të një dënimi me vdekje”, pasi janë dënuar ose akuzuar për vepra penale.

Ndërkohë, njerëzit u mblodhën jashtë burgut Rajai Shahr të dielën mbrëma pasi aktivistët paralajmëruan se Mohammad Ghobadlou dhe Mohammad Boroughani ishin transferuar në izolim në përgatitje për ekzekutim.

“Nëse i ekzekutoni, do të ketë një kryengritje, një revoltë”. Kjo ishte thirrja më e shpeshtë ndër ta.

Nëna e Ghobadlou, e cila ka thënë më parë se djali i saj vuan nga çrregullimi bipolar, u filmua duke i thënë turmës se 50 mjekë kishin nënshkruar një peticion që i kërkonte shefit të gjyqësorit të krijonte një komitet për të rishikuar shëndetin mendor të tij.

22-vjeçarit iu la në fuqi dënimi me vdekje nga Gjykata e Lartë më 24 dhjetor. Ai u dënua pasi u akuzua se kishte përplasur një grup policësh gjatë një proteste në Teheran në shtator, duke vrarë një prej tyre dhe duke plagosur të tjerë.

Ai doli në gjyq pa avokatin e tij të zgjedhur, i cili ka thënë se prokuroria kishte mbështetur prova të tjera me të meta.

Kurse Mohammad Boroughani, 19 vjeç, u gjykua së bashku me Ghobadlou dhe u dënua gjithashtu për “armiqësi kundër Zotit”.

Ai u akuzua se kishte mbajtur një hanxhar, se i vuri zjarrin një ndërtese të qeverisë provinciale dhe se plagosi një oficer sigurie.

Gjithashtu u akuzua për inkurajimin e të tjerëve për të marrë pjesë në protesta përmes mediave sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore